Bullakaj pas takimit me Kurtin: Diaspora në Zvicër motor i zhvillimit për Kosovën

Deputeti i ardhshëm në Parlamentin Federal të Zvicrës me origjinë shqiptare, Arbër Bullakaj, ka reaguar pas takimit që zhvilloi dje në Prishtinë me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, transmeton albinfo.ch.
Në një postim publik, Bullakaj theksoi se kjo vizitë shënon takimin e tij të parë zyrtar para fillimit të mandatit në Parlamentin Zviceran, i cili nis në fund të këtij muaji.
“Takimi im i parë zyrtar para fillimit të mandatit tim në Parlamentin Zviceran në fund të këtij muaji më solli në Prishtinë. Ishte një nder i madh të pritem kaq ngrohtësisht nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti”, shkroi ai.
Bullakaj bëri të ditur se me Kurtin kanë zhvilluar një bisedë konstruktive për lidhjet mes Zvicrës dhe Kosovës, duke theksuar rolin e diasporës kosovare në Zvicër, transmeton tutje albinfo.ch.
“Diaspora kosovare në Zvicër nuk është vetëm një histori suksesi e integrimit, por edhe një motor qendror për zhvillimin ekonomik dhe social të Kosovës”, u shpreh ai.
Sipas Bullakajt, gjatë takimit është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, përmes projekteve ekonomike, shkëmbimit kulturor dhe ndërtimit të urave politike.
Ai u shpreh i gatshëm që në rolin e tij të ri si deputet të kontribuojë në thellimin e partneritetit mes Zvicrës dhe Kosovës.
“Mezi pres që në rolin tim të ri si deputet të kontribuoj në thellimin e këtij partneriteti të rëndësishëm”, përfundoi Bullakaj, duke falënderuar Kurtin për pritjen dhe shkëmbimin e vlefshëm./ Albinfo.ch
Arbër Bullakaj takohet me kryeministrin Kurti, diskutojnë integrimin dhe sukseset e mërgatës
The post Bullakaj pas takimit me Kurtin: Diaspora në Zvicër motor i zhvillimit për Kosovën appeared first on Albinfo.



