Çelësi i mirëqenies: Na shpëton vetëm rritja prej 5 për qind

Paralajmërimet e fundit të Bankës Botërore për një rritje prej 2.5 për qind, nuk janë premtuese për Maqedoninë. Më shumë se tek ne,rritje do të ketë edhe Bosnje e Hercegovina me 2.6, Kosova me 2.7 The post Çelësi i mirëqenies: Na shpëton vetëm rritja prej 5 për qind appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Çelësi i mirëqenies: Na shpëton vetëm rritja prej 5 për qind

Paralajmërimet e fundit të Bankës Botërore për një rritje prej 2.5 për qind, nuk janë premtuese për Maqedoninë. Më shumë se tek ne,rritje do të ketë edhe Bosnje e Hercegovina me 2.6, Kosova me 2.7 për qind, Serbia me 3.5,Mali i Zi me 3.4 dhe Shqipëria me 3.3 për qind.Duhet të paktën 5 për qind rritje e Prodhimit të Brendshëm Bruto në mënyrë që vendi të ecë përpara dhe dalëngadalë t’i arrijë vendet e rajonit dhe më gjerë

Maqedonia e Veriut me vite po shënon shkallë të ulëta të rritjes ekonomike. Kjo e përkthyer në gjuhë të zakonshme nënkupton se rritja e ekonomisë prej disa për qind në vit e bën të vështirë përmirësimin më të madh të standardit jetësor. Ekspertët ekonomik pajtohen se vetëm shkallë të ritjes prej 5 për qind në vit për disa vite me radhë mund të ndikojë në mirëqenien më të madhe të qytetarëve së bashku me një rritje më të madhe pagash. Edhe paralajmërimet e fundit të Bankës Botërore për një rritje prej 2.5 për qind, nuk janë premtuese për Maqedoninë. Më shumë se tek ne, rritje do të ketë edhe Bosnje e Hercegovina me 2.6, Kosova me 2.7 për qind, Serbia me 3.5, Mali i Zi me 3.4 dhe Shqipëria me 3.3 për qind, shkruan gazeta KOHA.

Duhet të paktën 5 për qind rritje e Prodhimit të Brendshëm Bruto në mënyrë që vendi të ecë përpara dhe dalëngadalë t’i arrijë vendet e rajonit dhe më gjerë, u theksua në Samitin e “Maqedonia 2025”. “Nevojitet veprim intensiv dhe i plotë në periudhën e ardhshme. Progresi është i ngadalshëm dhe i pamjaftueshëm për të arritur qëllimet tona dhe nevojiten veprime të forta dhe vendimtare”, thekson Nikica Mojsovska Blazhevski, drejtoreshë e kësaj organizate.

Në shumicën e renditjeve dhe raporteve ndërkombëtare, theksoi ajo, vendi mbetet pas vendeve të rajonit dhe pas vendeve aspiruese. Sfida për Maqedoninë, përveç nivelit të ulët të zhvillimit ekonomik, janë ndryshimet e mëdha gjeopolitike që prekin ekonomitë e vogla, si dhe ikja e madhe e trurit.

Linjat e reja të ndarjes duket se po zhvillohen vazhdimisht në vend. “Standardi i ulët i jetesës dhe cilësia e ulët e jetës përkeqësojnë më tej ndarjen që çon në një betejë se kush do të rrëmbejë pjesën më të madhe të kulaçit publik – punësimi publik, tenderët, keqpërdorimin e burimeve publike, etj.

Ndarja etnike është e fortë dhe duket se përshkon çdo diskutim thelbësor dhe debat publik. Tranzicioni i gjatë dhe mungesa e përparimit të rëndësishëm pengon pikëpamjet tona për realitetin dhe aftësinë tonë për të menduar afatgjatë. Zhvillimet aktuale gjeopolitike imponojnë më tej kompleksitet dhe pasiguri në mjedisin e përgjithshëm dhe në hapësirën e disponueshme për reforma. E gjithë kjo, si dhe progresi i ngadalshëm në afrimin e standardit jetësor të BE-së, diçka që është synimi i çdo qytetari të këtij vendi, kërkon veprim intensiv dhe të thellë në periudhën e ardhshme”, shton Mojsovska Bllazhevski.

Platforma dhe vizioni i Maqedonia 2025 parashikon zero tolerancë ndaj korrupsionit, rritje e vazhdueshme e Prodhimit të Brendshëm Bruto mbi pesë për qind, përmes rritjes së investimeve në arsim, biznesit dhe reformave rregullatore, mbështetjes për eksportet dhe reduktimit të ekonomisë gri, administratës publike cilësore dhe efikase dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kryeministri i ri Hristijan Mickoski paraljamëroi një rritje ekonomike prej pesë për qind në vitet e ardhshme me një ndryshim në konceptin e rritjes – nga inkurajimi i konsumit në inkurajimin e investimeve. “Me Platformën 1198, ne angazhohemi për rritjen e PBB-së deri në 5 për qind në vit, një normë të ulët inflacioni jo më shumë se 2.0 -2.5 për qind në vit, një deficit buxhetor që gradualisht do të ulet në një nivel nën 3.0 për qind të PBB-së, duke ulur papunësinë në 7.5%. Apo hapja e 55 mijë vendeve të reja të punës. Do të ulim taksat – Maqedonia do të jetë ndër vendet me taksa më të ulëta për kompanitë dhe qytetarët. Do të mbajmë taksën e sheshtë. Tatimi mbi të ardhurat personale prej 10 për qind nuk do të rritet. Për të mbajtur të rinjtë në ekonomi do të ketë përjashtim nga taksat për tatimin mbi të ardhurat personale për të rinjtë e sapopunësuar deri në 29 vjeç. Gjithashtu ne angazhohemi për investime kapitale të paktën 3 miliardë euro thekson”, kryeministri i ri Mickoski.

Një nga menaxherët më të njohur nga Maqedonia që punon në SHBA-të, Majk Zafirovski që ka ushtruar detyra të larta edhe në kompani si Boing, Motorolla… thotë se janë reale dhe absolutisht të mundura këto shkallë rritjesh prej 5 për qind, nëse këtë e bëni prioritet.

“Maqedonia ka burime dhe përvojë, por është shumë e rëndësishme të ndryshohet mënyra e të menduarit për përdorimin dhe menaxhimin e duhur të tyre. Mali i Zi, Greqia, Bullgaria, Kosova janë pozicionuar më mirë se ne dhe po rriten më shpejt se ne.Të pyesësh nëse është e mundur të arrish rritje është e gabuar, duhet të pyesim pse nuk mundemi, niveli i rritjes është shumë shumë i ulët, ne kemi njerëz shumë të mirë këtu dhe njerëz që po largohen nga vendi dhe po përparojnë.Askush nuk dëshiron të qëndrojë këtu ku jemi, ka 50 milionë mënyra për të arritur rritje, por çfarë do të keni prioritet dhe si do t’i përdorni burimet”, thekson Zafirovski.

Nga ana tjetër, tregojnë të dhënat zyrtare, ekonomia e Maqedonisë, përveç lëvizjes së normës së rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe papunësisë, vazhdimisht shfaq edhe shumë shenja të tjera të ekzistencës së një krize më të thellë dhe strukturore në ekonomi si struktura e ekonomisë që ka pajisje të ulëta teknologjike dhe pjesëmarrjen e lartë të aktiviteteve tradicionale nga prodhimi material (bujqësia rreth 9 për qind, industria dhe energjia rreth 19 për qind, ndërtimtaria rreth 5.4 për qind, me punësim tepër të lartë në këto tre aktivitete rreth 42–45 për qind të punësimit total). Gjithashtu niveli i kualifikimit dhe arsimimit i fuqisë punëtore është relativisht i ulët. Normat e kursimeve dhe investimeve të brendshme janë relativisht të ulëta në rreth 25-28 për qind, të cilat vetëm e kaluan kufirin prej 30 për qind të PBB-së në 5 vitet e fundit. Investimet e huaja janë vetëm disa përqind të PBB-së në vit, performanca në tregtinë e jashtme është modeste me një deficit tregtar të theksuar që stabilizohet në gati njëzet për qind të PBB-së.

Nga sektori i biznesit thonë se ky vit në njëfarë mënyre është humbur, për më tepër kur ekonomisë së vendit i mungojnë reforma thelbësore. Në të gjitha raportet, nga institucionet monetare ndërkombëtare, të gjitha kërkojnë vazhdimisht reforma thelbësore. “Pa reforma thelbësore, kjo ekonomi do të prodhojë rritje 2 përqind. Megjithatë, me një rritje prej 2 për qind në kushtet e inflacionit që do të jetë më e lartë se rritja, lind pyetja, a do të jemi në të kuqe? Pra, definitivisht na mungon një orientim ku ekonomia jonë do të ketë rritje prej 5 deri në 6 për qind , atëherë në një farë mënyre do të jemi në gjendje të shprehim njëfarë kënaqësie, që po përparojmë. Sidoqoftë, ekziston një fakt absolut se ekonomia jonë është një nga të fundit në kontinentin evropian dhe mendoj se ky është një fakt dërrmues”, thotë numri një i Lidhjes së Odave Ekonomike, Trajan Angellovski.

Për të arritur zhvillim dhe prosperitet afatgjatë, vlerëson profesori Borçe Trenovski është e nevojshme që përfundimisht të fillojnë reformat strukturore të shumëpritura, të cilat do të mundësojnë ndryshimin sistematik në vend, duke forcuar bazat e tij ekonomike, sociale dhe institucionale.

“Shpresojmë që qeveria e re më në fund do të bëjë një përpjekje për të krijuar një bazë për një konsensus kombëtar për ndryshime në disa fusha kyçe: Krijimi i një ekonomie të qëndrueshme dhe produktive të bazuar në inovacion, sipërmarrje, një fuqi punëtore efikase që është e integruar fuqishëm në rrjedhat rajonale dhe globale.Forcimi i strukturës institucionale nëpërmjet krijimit të institucioneve dhe administratës së fuqishme/efikase, të depolitizuar, të përgjegjshme, e cila do të jetë rezistente ndaj korrupsionit, do të garantojë sundimin e ligjit, do të garantojë zbatimin e zgjidhjeve ligjore dhe mbështetje të fortë për sektorin e biznesit dhe qytetarët e vendit”, thekson Trenovski. Ai vlerëson se nevojiten reforma të qëndrueshme në sistemin shëndetësor, arsimor dhe social, si dhe decentralizim real, të cilat do të sigurojnë shërbime efikase për qytetarët, zhvillim të balancuar të vendit dhe mirëqenie kombëtare. (koha.mk)

The post Çelësi i mirëqenies: Na shpëton vetëm rritja prej 5 për qind appeared first on Flaka, në çdo lajm... .