Çitaku: Ne kemi nevojë për SHBA-të e jo anasjelltas

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka folur rreth raportit mes Kosovës dhe aleatit të saj, SHBA-ve. Çitaku tha se mosvizitat e zyrtarëve në Shtëpinë e Bardhë për më shumë se tre vite janë mesazhe diplomatike. “Hera e fundit që kemi pasur një zyrtar në Shtëpinë e Bardhë është para më shumë se […]

Çitaku: Ne kemi nevojë për SHBA-të e jo anasjelltas

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka folur rreth raportit mes Kosovës dhe aleatit të saj, SHBA-ve.

Çitaku tha se mosvizitat e zyrtarëve në Shtëpinë e Bardhë për më shumë se tre vite janë mesazhe diplomatike.

“Hera e fundit që kemi pasur një zyrtar në Shtëpinë e Bardhë është para më shumë se tre vitesh dhe këtë e them me keqardhje sepse ne betejën e bëjmë këtu brenda për çështje të brendshme dhe mua sigurisht nuk më vjen mirë që as presidentja e as kryeministri i vendit nuk janë pritur ende në Shtëpinë e Bardhë , por, në diplomaci këto janë mesazhe, kjo është gjuhë e koduar e komunikimit.”, ka thënë Çitaku në një intervistë për Klan Kosova.

Ajo tutje tha se më herët një gjë e tillë nuk ka ndodhur në qeverisjet e kaluara.

“Më parë nuk ka ndodhur që të kalojë viti, assesi viti, që të mos kemi së paku një takim në Shtëpinë e Bardhë qoftë me Zëvendëspresidentin ose me Presidentin.

Çitaku shtoi se “ne kemi nevojë për SHBA-të dhe jo SHBA-të për ne”.

Nënkryetarja e PDK-së tutje tha se aleancat nuk duhet të ushqehen dhe jo të merren si të mirëqena.

“Aleancat nuk duhet të merren si të mirëqena, ato duhet të ushqehen , duhet të kultivohen. SHBA-të nuk na kanë borxh që të na mbështesin pafundësisht dhe pa kushte.”, tha ajo.

Sipas saj, kërkesat e SHBA-ve nuk duhet të refuzohen me arrogancë “e aq më pak në intervista në mediume ndërkombëtare ku sekretarit të shtetit i thuhet naiv.”

“Ndonjëherë vijnë edhe me kërkesa. Kërkesat deri më tani kanë qenë minimale, herë na pëlqejnë herë s’na pëlqejnë por edhe kur nuk na pëlqejnë është shumë e rëndësishme se si themi jo. Nuk duhet thënë jo me arrogancë dhe më shpërfillje e aq më pak në intervista në mediume ndërkombëtare ku sekretarit të shtetit i thuhet naiv.”, tha Çitaku.