Nga dekretet te emërimet, vendimet kyçe që mund ta testojnë Haxhiun si presidente në detyrë

Nga dekretet te emërimet, vendimet kyçe që mund ta testojnë Haxhiun si presidente në detyrë

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, pritet të përballet me një sërë përgjegjësish kushtetuese gjatë periudhës së saj në këtë post, ndërsa njohësit e Kushtetutës theksojnë se roli i saj nuk dallon nga ai i një presidenti të zgjedhur.

Sipas tyre, Haxhiu sfidën e parë e ka emërimin e anëtarit të dhjetë të KQZ-së, për të cilin ka mospajtime mes LVV-së dhe PDK-së. Madje, të njëjtit theksojnë se kjo çështje pritet të bëhet objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese, në cilëndo vendimmarrje të saj.

Sipas ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ushtrimi i këtij funksioni nuk nënkupton kufizim kompetencash. Ai thekson se presidenti në detyrë ka në dispozicion të gjitha kompetencat kushtetuese dhe duhet të veprojë mbi bazën e tyre. Kryeziu vlerëson se ky rol kërkon paanshmëri të plotë, duke qenë se presidenti është garantues i unitetit të vendit dhe funksionimit të institucioneve shtetërore.

“I ka tridhjetë kompetenca, nuk i ka kompetencat e zvogëluara që i ka kryeministri në detyrë dhe ka të drejta si të ishte president i zgjedhur. Ajo mund të veprojë në bazë të Kushtetutës, nuk duhet të jetë e anshme, pasi presidenti është faktor uniteti dhe neutral. Duhet të vendosë në bazë të interesit të Kushtetutës dhe institucioneve shtetërore të Kosovës”, thotë ai.