Dënohet me 17 vjet burgim i akuzuari për vrasjen e vëllait

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Millorad Shubariq, duke e dënuar me 17 vjet burgim për vrasjen e vëllait D.Sh. Shubariq u dënua për veprën penale “Vrasje e rëndë në aftësi esencialisht të zvogëluar mendore”, pasi më 7 maj të vitit 2022 për shkak të mosmarrëveshjeve kishte privuar nga jeta vëllain e […]

Dënohet me 17 vjet burgim i akuzuari për vrasjen e vëllait

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Millorad Shubariq, duke e dënuar me 17 vjet burgim për vrasjen e vëllait D.Sh.

Shubariq u dënua për veprën penale “Vrasje e rëndë në aftësi esencialisht të zvogëluar mendore”, pasi më 7 maj të vitit 2022 për shkak të mosmarrëveshjeve kishte privuar nga jeta vëllain e tij tani të ndjerin D.Sh.

Aktgjykimi ndaj Shubariq u shpall të enjten nga gjykatësja Alltën Murseli.

Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të vendimit.

Sipas aktakuzës të datës 13 prill 2023, i akuzuari Millorad Shubariq me nofkën “Miqa” i cili gjendet në paraburgim, akuzohet se me datën më 7 maj 2022 rreth orës 15:30 minuta, në fshatin Gushtericë e Ultë, Komuna e Lipjanit, për shkak të disa mosmarrëveshjeve në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit D.Sh., dhe zënkave disa vjeçare rreth pronës-shtëpisë së përbashket të vëllezërve- të pandehurit Millorad Shubariq dhe D.Sh., derisa tani i ndjeri D.Sh., ishte duke punuar me kosë para shtëpisë së tij në oborrin e përbashkët me të pandehurin, ndërsa i pandehuri Millorad Shubariq ishte duke konsumuar birra, mes tyre ka filluar një fjalosje dhe kacafytje ku i pandehuri Millorad Shubariq ka hyrë në dhomën e tij ku ka marrë armën e tij zyrtare të tipit “Glock”, pastaj ka shkuar te shtëpia e tani të ndjerit dhe me dashje ka shtënë me armë tetë herë në drejtim të tij dhe e ka qëlluar, ku si pasojë e plagëve tani i ndjeri ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Me këtë, i pandehuri sipas Prokurorisë ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 175. paragrafi 1. nënparagrafi 1.3 dhe 1.6 të KPRK-së./“Betimi për Drejtësi”.