Departamenti amerikan i shtetit: Liderët e RMV-së patjetër ta kufizojnë ndërhyrjen politike në gjyqësor

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin qeveritë, partnerët nga shoqëria civile, mediat e pavarura dhe qytetarët në luftën kundër krimit të organizuar dhe çrrënjosjen e korrupsionit, iu përgjigj shërbimi për shtyp i Departamentit të Shtetit, pyetjes së Zërit të Amerikës në gjuhën maqedonase nëse Shtetet e Bashkuara janë një nga pesë vendet që […]

Departamenti amerikan i shtetit: Liderët e RMV-së patjetër ta kufizojnë ndërhyrjen politike në gjyqësor

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin qeveritë, partnerët nga shoqëria civile, mediat e pavarura dhe qytetarët në luftën kundër krimit të organizuar dhe çrrënjosjen e korrupsionit, iu përgjigj shërbimi për shtyp i Departamentit të Shtetit, pyetjes së Zërit të Amerikës në gjuhën maqedonase nëse Shtetet e Bashkuara janë një nga pesë vendet që ka ofruar ndihmë juridike ndërkombëtare për marrjen e provave në hetimin e “Shkupit 2014”, transmeton Portalb.mk.

Prokuroria Themelore Publike ka njoftuar të premten se është duke zhvilluar hetime ndaj 15 personave fizikë dhe 7 personave juridikë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe pastrim parash për 11 monumente, gjatë të cilave dyshohet se janë pastruar më shumë se 16 milionë euro para buxhetore.

“Lufta kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor është prioriteti kryesor i administratës Biden. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin qeveritë, partnerët e shoqërisë civile, mediat e pavarura dhe qytetarët në luftën kundër krimit të organizuar, çrrënjosjen e korrupsionit, rritjen e transparencës, zbatimin e llogaridhënies dhe forcimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit dhe institucioneve demokratike”, deklaroi një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Në deklaratë thuhet se “liderët e Maqedonisë së Veriut duhet të tregojnë rezultate të forta, të prekshme në luftën kundër korrupsionit, duke forcuar pavarësinë institucionale dhe duke kufizuar ndërhyrjet politike, veçanërisht në gjyqësor, e cila është thelbësore për përmbushjen e qëllimeve të anëtarësimit në BE dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve te qeveria”.

Në mesin e të dyshuarve në hetim, me emrin e koduar “Fenix”, janë edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski i arratisur në Hungari dhe ish-ministrat e Financave dhe Kulturës Zoran Stavreski dhe Elizabeta Kançeska-Milevska.

Ish-kryetarit të Komunës së Qendrës, Vlladimir Todoroviq, i është caktuar masa e arrestit shtëpiak, ndërsa ndaj të dyshuarve janë shqiptuar masa tjera të paraburgimit dhe masa më të lehta për sigurinë e të dyshuarve.

Hetimi konstatoi se për monumentet “Luftëtari mbi kalë”, “Goce Dellçev”, “Dame Gruev”, “Metodia Andonov – Çento”, “Themeluesit e VMRO-së”, “Car Samoili”, “Justiniani i Parë”, “Nikolla Karev”, “KAÇKM” dhe luanët e vendosur në urën “Goce Dellçev” janë paguar mbi 57 milionë euro, ndërsa dyshohet se janë larë 16 milionë euro, të cilat kanë përfunduar në llogari të ndryshme bankare.

Sipas informacioneve zyrtare të Prokurorisë, të cilat u prezantuan në një konferencë për media, krimi është kryer në periudhën nga viti 2007 deri në vitin 2013.

SHBA së fundi e futi në listën e zezë kryetarin e Strugës, Ramiz Merko, për përfshirje në korrupsion të konsiderueshëm, ndërsa vitin e kaluar futën në listën e zezë edhe ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe ish-drejtorin e Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit Sasho Mijalkov.

Edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së për Politikat Evropiane dhe NATO-n, Spenser Boyer, për Zërin e Amerikës në maqedonisht të enjten, tha se është e rëndësishme për sigurinë rajonale dhe globale që Maqedonia e Veriut të fokusohet në demokraci dhe sundim të ligjit.

“Sigurisht, ne kujdesemi për demokracinë dhe sundimin e ligjit në përgjithësi për të gjithë aleatët dhe partnerët tanë. Mendojmë se fokusimi në ato gjëra dhe të pasurit demokraci të forta është i rëndësishëm për të pasur sisteme të forta për të qenë elastik, për të kontribuar më gjerësisht në sigurinë rajonale dhe globale. Kështu që kjo është gjithmonë e rëndësishme”, tha Boyer.

Ndryshe më 20 qershor Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramis Merkon.

Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Përveç Merkos, në listën e zezë të SHBA-ve ishin edhe bashkëshortja e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij.

Më 11 prill të vitit 2022 për shkeljet ligjore dhe prishje të demokracisë nëpër institucione publike, shoqëruar me korrupsionin, Departamenti i Shtetit Amerikan i shpalli nongrata edhe Nikolla Gruevskin, Sasho Mijallkovin dhe një politikane nga Bosnja.

Paraprakisht, SHBA i ka shpallur nongrata, Menduh Thaçin, Lube Boshkoskin, Xhevat Ademin dhe të tjerë.

SHBA, ka paralajmëruar se Merko nuk është i fundit që është shpallur “nongrata”, por se do të ketë edhe të tjerë.

LEXO: Merko nuk jep dorëheqje: Do të bashkëpunoj me organet e drejtësisë
LEXO: Antikorrupsioni i befasuar nga Gërkovska: Në vend që të luftojë me ne, ajo kritikon LEXO: Ramiz Merko u shpall person non grata nga Departamenti amerikan i Shtetit LEXO: Koordinatori për antikorrupsion i DASh, Nephew: Sekretari amerikan i Shtetit ka prova për përfshirjen e Merkos në korrupsion masiv LEXO: Gërkovska pret që organet gjyqësore të kuptojnë në mënyrë adekuate mesazhet e SHBA-së pas futjes së Merkos në “listën e zezë” LEXO: Ageler pas vendimit të ShBA-së për Merkon: Do të luftojmë kundër kujtdo që minon sundimin e ligjit LEXO: Nikolla Gruevski dhe Sasho Mijallkov u shpallën në listën e zezë të SHBA-së, edhe pesë tjerë të përfshirë në listën e sanksioneve