Pse dështoi transferimi i Fisnik Asllanit te Leipzigu?

Pse dështoi transferimi i Fisnik Asllanit te Leipzigu?

Transferimi i sulmuesit kosovar, Fisnik Asllani, te RB Leipzigu nuk do të realizohet, pavarësisht marrëveshjes së arritur mes dy klubeve, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportimeve, Leipzigu ka shprehur shqetësime lidhur me gjendjen shëndetësore të 23-vjeçarit, për çka transferimi është ndërprerë dhe Asllani do të vazhdojë të jetë pjesë e Hoffenheimit. Deri më tani nuk është bërë e ditur se për çfarë problemi shëndetësor bëhet fjalë.

Hoffenheimi dhe Leipzigu kishin arritur marrëveshje për transferimin e sulmuesit, i cili pritej të nënshkruante kontratë deri në vitin 2031. Megjithatë, procedurat nuk janë përmbyllur dhe lëvizja ka dështuar në momentet e fundit.

Drejtori sportiv i Hoffenheimit, Andreas Schicker, ka thënë se mosrealizimi i transferimit nuk përbën shqetësim për klubin dhe se ata vazhdojnë të kenë besim të plotë te Asllani.

“Fisniku ka bërë një zhvillim të jashtëzakonshëm te Hoffenheimi. Që ky transferim nuk u realizua nuk është aspak një lajm i keq për ne nga ana sportive. Jemi plotësisht të bindur se Fisniku është në gjendje të performojë në nivelin më të lartë, si fizikisht ashtu edhe sportivisht”, ka deklaruar Schicker.

Ai shtoi se klubi do të vazhdojë ta mbështesë sulmuesin kosovar, duke theksuar se ai kishte dhënë kontribut të rëndësishëm në suksesin e Hoffenheimit gjatë sezonit të kaluar.

“Ne i qëndrojmë pranë lojtarit tonë. Ai dha një kontribut të madh në suksesin tonë sezonin e kaluar, e ka përfunduar fazën përgatitore në nivelin që jemi mësuar prej tij dhe nga java e ardhshme do t’i bashkohet sërish stërvitjeve me ekipin”, ka thënë drejtori sportiv.

Dështimi i transferimit vjen si një zhvillim i papritur, pasi mediumi gjerman Kicker kishte raportuar një ditë më parë se Asllani i kishte kaluar tashmë testet mjekësore.

Kështu, për momentin, sulmuesi kosovar do të vazhdojë aventurën e tij te Hoffenheimi, ndërsa mbetet e paqartë nëse transferimi te Leipzigu mund të rihapet në një moment tjetër./Albinfo.ch

The post Pse dështoi transferimi i Fisnik Asllanit te Leipzigu? appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.