Evis Sala zbulon si e mori ftesën nga Rama për t’u bërë ministre

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala ka rrëfyer në emisionin Opinion jetën e saj, që nga studimet, profesioni si mjeke, largimi nga Shqipëria deri te rikthimi në vendin tonë. Sala tregoi dhe se si i ka ardhur ftesa nga kryeministri Edi Rama për postin e ministres, dilemat dhe se çfarë ka menduar kur ka ardhur në […]

Evis Sala zbulon si e mori ftesën nga Rama për t’u bërë ministre

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala ka rrëfyer në emisionin Opinion jetën e saj, që nga studimet, profesioni si mjeke, largimi nga Shqipëria deri te rikthimi në vendin tonë.

Sala tregoi dhe se si i ka ardhur ftesa nga kryeministri Edi Rama për postin e ministres, dilemat dhe se çfarë ka menduar kur ka ardhur në Shqipëri dhe ka parë nga afër situatën e shëndetësisë në vend.

“Ishte një telefonatë. Po dhe ishte një ftesë e kryeministrit Edi Rama për tu takuar. Sigurisht që e takova, pa e ditur pse po e takoja. Mendoja se ishte një takim për t’u riparë, sepse njihemi prej vitesh. Por edhe atje u surprizova të them të vërtetën, sepse nuk kam qenë ndonjëherë e angazhuar në pozita politike. U suprizova nga ftesa”, tha ministrja Sala e cila sqaroi se njihej me kryeministrin Edi Rama që nga koha e fëmijërisë, me të cilin i kishte ruajtur kontaktet ndër vite, edhe pse takimet e tyre ishin më të rralla.

A kishte dilema para se të pranonte postin? Ministrja u shpreh që: “Absolutisht. Së pari e mendova dhe nuk ishte një përgjigje “Po ose jo e menjëhershme. Mora pak kohë për të menduar. Unë jam racionale si natyrë dhe dua t’i vlerësoj të gjithë indikatorët, pro-s dhe con-s.” Ajo shtoi se dilema vjen edhe nga fakti se ky është një pozicion i vështirë, dhe zbuloi se ishte konsultuar edhe me të afërmit para se të merrte vendimin.

Fevziu e pyeti ministren Sala se si ishte realiteti i shëndetësisë në Shqipëri kur ajo e pa nga afër, siç e kishte menduar apo totalisht ndryshe. Ajo u përgjigj se shëndetësia në vend nuk ishte siç e kishte menduar dhe kuptoi se kishte shumë punë për të bërë.

“Realiteti që gjen kur nuk ke jetuar ose nuk e ke prekur situatën është gjithmonë më ndryshe. Kisha njohuri të disa sfidave e problemeve që kishte shëndetësia, por realiteti është gjithmonë pak më i ndryshëm kur nuk ke jetuar në vend.

Momenti i parë i realitetit nuk ishte demoralizues por ishte ua, këtu ka për të bërë punë dhe idetë i kam. Duhet ngritur ekipi. Sepse unë kam punuar gjithmonë në ekip dhe besoj se suksesi i individit bazohet në ekipin që ngre.  Kur ekipi është i suksesshëm dhe individi është i sukssesshëm.”, tha Sala.

E pyetur se përse e braktisi profesionin për t’u bërë ministre, ajo u shpreh se nuk e shihte këtë si një braktisje.