Fundi apo vazhdimi i masave të BE-së për Kosovën?

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka përgatitur një raport rreth masave të vendosura nga BE-ja për Kosovën. Ky raport do iu dërgohet vendeve anëtare të BE-së dhe këto vende janë po ashtu të parat që do e kuptojnë se çfarë përmban ai raport, shkruan FrontOnline. Lidhur me raportin e Përfaqësuesit të Lartë […]

Fundi apo vazhdimi i masave të BE-së për Kosovën?

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka përgatitur një raport rreth masave të vendosura nga BE-ja për Kosovën. Ky raport do iu dërgohet vendeve anëtare të BE-së dhe këto vende janë po ashtu të parat që do e kuptojnë se çfarë përmban ai raport, shkruan FrontOnline.

Lidhur me raportin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, ka folur edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili ka deklaruar se askush jashtë BE-së nuk duhet të spekulojë rreth përmbajtjes dhe afateve.

“Para së gjithash, raporti i Përfaqësuesit të Lartë ishte kërkuar nga Këshilli. Pra, shtetet anëtare kanë kërkuar nga Përfaqësuesi i Lartë t’ua dërgojë atë raport dhe ai do t’ua dërgojë raportin vendeve anëtare. Këto vende anëtare do të jenë të parat që do të dinë se çfarë përmban raporti. Kjo akoma nuk ka ndodhur. Ne nuk shohim nevojë të spekulohet nga ana e akterëve të ndryshëm”, ka thënë Stano.

Në anën tjetër, zyrtarë të lartë nga Kosova shprehën optimist se ky raport do të jetë pozitiv dhe se BE-ja do ia heq masat Kosovës.

‘’Kam informata se Borrell ka përgatitur raportin e tij dhe se ai ka propozuar heqjen e masave ndaj Kosovës’’, ka thënë Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë i Kosovës.

Për heqjen e masave ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka deklaruar se nuk është i prirë të spekuloj mbi spekulimet.

“Nuk mendoj se duhet të spekuloj për spekulimet”, tha shkurt Kurti

Në anën tjetër, këtë muaj bëhen një vit prej kur Bashkimi Evropian, kishte vendosur një pako masash ndaj Kosovës, pas përshkallëzimit të situatës në Veri të vendit.

 

Deputeti i VV-së për raportin e Borrellit: Presim heqjen e masave, Bislimi me siguri ka informacione për këtë

Deputeti i VV-së, Agon Batusha, për FrontOnline, deklaron se raporti i Përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, do të duhej të dërgohet para Këshillit të Ministrave sa më parë, sepse sa më shumë zgjatet, aq më shumë zgjatet padrejtësia ndaj Kosovës.

‘’Raporti do duhej që sa më parë të dërgohet para Këshillit të Ministrave sepse sa më shumë që zgjatet, aq më shumë zgjatet padrejtësia ndaj një shteti demokratik’’, potencon deputeti i VV-së.

Batusha, thekson se beson në heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.

‘’Natyrisht qe presim heqjen e masave. Kane qene dhe mbeten te padrejta, mbi gjitha ne kemi realizuar zotimet tona ndaj BE-se për de-eskalim’’ deklaron ai.

Deputeti i VV-së, për deklaratën e  zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, thotë se ai mund të ketë informacione se BE-ja do i heq masat për Kosovën.

‘’Me siguri zëvendëskryeministri ka informacione të cilat sinjalizojnë një gjë të tillë. Fundja është i ngarkuari i Qeverisë me proceset integruese dhe është e logjikshme që të ketë informacione më të detajuara’’, deklaron Batusha për FrontOnline.

 

Nënkryetarja e PDK-së: Masat duhet hequr, nuk ka çfarë të diskutohet më shumë – Qeveria Kurti e sjelli Kosovën në këtë pikë

Nënkryetarja e PDK-së dhe ish-ambasadorja e Kosovës në Bruksel, Mimoza Ahmetaj, për FrontOnline, thotë se Kosova ishte dashur të negocionte për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian dhe jo të flet në këtë kohë për heqjen e masave.

‘’Kisha dashur të shoh se Kosova është duke negociuar për anëtarësimin e saj në BE dhe jo të flet në këtë kohë për heqjen e masave, kur ne ka vite prej kur kemi aplikuar për statusin e shtetit kandidat’’  thotë ajo.

Ahmetaj, deklaron se nuk ka çfarë të diskutohet më shumë pasi që kërkesa dhe ideja është masat nga BE-ja të vendosura ndaj Kosovës të hiqen.

‘’Nëse do të diskutohet apo jo është çështje tjetër, kërkesa dhe ideja është që masat të hiqen, nuk ka çka të diskutohet më tepër’’ thekson ajo për FrontOnline.

Nënkryetarja e PDK-së, shprehet se Qeveria Kurti është ajo që e ka sjellur Kosovën në këtë pikë.

‘’Është kjo Qeveri që na ka sjellur në këtë pikë, që ne pas kaq viteve që kemi nënshkruar Marrëveshjen për Stabizilim-Asociim dhe që kemi aplikuar për statusin kandidat, kemi bërë regres për heqjen e masave’’ potencon Ahmetaj.

Ish-ambasadorja Ahmetaj, për FrontOnline. deklaron se nuk dëshiron ta komentoj deklaratën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, por që thotë se fokusi do të duhej të ishte tek vendet anëtare të BE-së, për heqjen e masave.

‘’Nuk do doja fare të i komentoja deklaratat e individëve, fokusi do të duhej të ishte tek vendet anëtare për heqjen e masave, prandaj ky do të duhej të ishte fokusi tani’’ thekson nënkryetarja Mimoza Ahmetaj.

 

Haliti i LDK-së: Brengosëse se si u vendosën masat ndaj Kosovës, Qeveria Kurti nuk duhet pasur hallin për ta demokratizuar Serbinë

Sokol Haliti, sekretar i LDK-së për Degët Jashtë, e quan brengosëse mënyrën se si i janë vendosur Kosovës masat nga Bashkimi Evropian.

‘’Është vërtetë brengosese se si i janë vënë masat Kosovës, sepse partneriteti ynë më BE-në dhe SHBA-në ka qenë në nivelin më të lartë. Kjo është brengosese se kemi arritë në një shkallë që Kosovës me iu vendos sanksione nga ndërkombëtaret, sepse koordinimin me ta e kemi pasur prioritet’’ thotë Haliti.

Sekretari i LDK-së, thotë se filozofia orientuese dhe integrimi i Kosovës është i qartë dhe nuk ka nevojë për filozofi të re.

‘’Filiozifa orientuese dhe integrimi ka qenë e qartë, sepse nuk ka pasur nevojë të krijohet filozofi e re orientuese. Me ardhur Kosova që me u krahasu me Bjellorusinë dhe Rusinë, me sanksione nga partnerët tanë është shqetësuese’’, potencon ai.

Haliti, për deklaratën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, thotë se është shqetësuese mënyra se si po demantohen zyrtarët e shtetit nga BE dhe SHBA.

‘’Mënyra qysh zyrtarët tanë po demantohen nga BE por edhe nga SHBA, është shqetësuese sepse tregon shkallën ku kemi mbërri në diplomacinë e jashtme dhe gjuhën politike që po përdorim’’ thekson ai.

Sekretar i LDK-së, thotë se Kosovës i duhet një politikë integruese dhe një unitet që politikat i merr më seriozisht.

‘’Prandaj Kosovës i duhet një politikë integruese dhe unifikuese, një grup i unitetit që politikat e jashtme i merr seriozisht. I ka kaluar koha kësaj Qeveria me këtë mendësie vetëmjaftueshme, e cila nuk bashkëpunon as me Shqipërinë e lëre me SHBA-në ose BE-në’’ shprehet ai për FrontOnline.

Haliti, shton se Kosova nuk duhet pasur hallin për ta demokratizuar Serbinë, por rrugën e saj integruese.

‘’Kosova nuk duhet me pas dert me demokratizua Serbinë, ajo e ka hegjemoninë e vetë dhe ambiciet që i ka ndaj Kosovën. Ne kemi nevojë me bashkëpunu me SHBA dhe BE drejt integrimit atlantik’’ deklaron Haliti për FrontOnline.

 

Bytyqi e AAK-së: Presim heqjen e masave, shpresojmë të mos goditemi më – Deklarata e Bislimit e ngutshme

Deputetja nga radhët e AAK-së, Albana Bytyqi deklaratën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për raportin e Borrelit e ka vlerësuar si të ngutshme.

Ajo tha se edhe Stano e ka potencuar se përmbajtja e raportit rreth masave të BE-së nuk mund të spekulohet nga akterët jashtë bllokut evropian.

“Nuk është aspak mirë që të japim deklarata të tilla, sigurisht të ngutshme. Siç jam e informuar edhe Stano, ka deklaruar se afati i dorëzimit të raportit rreth masave të vendosura ndaj Kosovës, dhe përmbajtja e këtij raporti, janë çështje ndër-institucionale të BE-së, dhe se për të nuk mund të spekulojnë akterët jashtë bllokut evropian. Reagimet e z Bislimi do të duhej të ishin të matura, dhe jo të krijojë një opinion në publik dhe të deklarojë se do të hiqen masat”, tha Bytyqi.

Deputetja e AAK-së, shpreson që Kosova mos të goditët më me sanksione si këto që janë ende në fuqi për vendin.

“Presim, neve nuk na duhen masa apo ndëshkime sepse këto masa janë ndaj shteti të Kosovës dhe uroj që kjo të ndodh sa më shpejt dhe të mos përsëriten më situate të tilla ku vendi ynë ndëshkohet nga politika të këqija”, theksoi deputetja e AAK-së, Alban Bytyqi.

Pasojat e Qeverisë po i vuan shteti i Kosovës, thotë Bytyqi.

Bytyqi deklaroi se masat e BE-së e kanë dëmtuar shtetin.

“Nuk mund të spekulojmë në këtë aspekt pasi nuk ka ndonjë afat të caktuar se kur bëhet dorëzimi i këtij raporti, ndonëse heqja e masave për Kosovën do të ishte një lajm tejet i mirë pasi një gjë e tillë na ka dëmtuar si shtet por këto siç e dimë janë si pasojë e një qeverisje jo të mirë, aspak bashkëpunuese me ndërkombëtarët, pasojat e së cilës i pamë dhe vazhdojmë t’i vuajmë si shtet”, potencon ajo.

 

Arifi: Pres që raporti i Borrellit të jetë pozitiv për Kosovën

Analisiti politik dhe njohësi i çështjeve evropiane, Dritëro Arifi, për FrontOnline, thotë se pret që raporti i Përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, të jetë pozitiv për Kosovën.

‘’Pres që raporti i zotit Borrell të jetë pozitiv për Kosovën, sa i përket largimit të masave, sepse kjo edhe do i relaksonte raportet BE-Kosovë, por edhe do të tregonte një shenjë të mirëkuptimit për vendet të cilat i zbatojnë marrëveshjet për vendet që janë zotuar, pra do të ishte një pikënisje shumë e mirë në ndërtimit të raportit të ardhshëm Kosovë-BE’’ thotë ai.

Arifi, e quan pakujdesi dhe adoleshente deklaratën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ku ka thënë se Përfaqësuesi i lartë i BE-së, ka propozuar heqjen e masave për Kosovën në raportin e tij.

‘’Ne jemi mësuar më këto pakujdesi dhe më këtë botëkuptim adoleshent të politikës së brendshme dhe të jashtme dhe jo vetëm Bislmi por gjithë Qeveria e Kosovës, bën gabime trashnore edhe në raport me partnerët vendor edhe me ata ndërkombëtar, e sidomos me ata të BE-së’’ shprehet ai.

Analisti politik, thotë se po vërehet se Qeveria e Kosovës nuk po mëson ngaa mësimet e marra dhe nuk po i lexojnë ato siç duhet,

‘’Po vërehet se mësimet e marra këta nuk po i mësojnë, nuk po i lexojnë, dhe problemet janë se arroganca e tepërt është e dëmshme edhe për Qeverinë e Kosovës, sepse të flitet për një raport kur nuk dihet rezultati i saj, i sfidon partnerët evropian pa nevojë, Qeveria ka mundur që përmes formave tjera të ia tregoj dikujt tjetër, mediave, por jo qeveria të flet vetë për një gjë kur nuk ka informata e sidomos pa lejen e partnerëve evropian të flitet mbi këtë çështje’’ potencon njohësi i çështjeve evropiane, Dritëro Arifi për FrontOnline.

 

BE-ja pati vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës verën e kaluar, me arsyetimin se ajo nuk kishte bërë mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës në maj të vitit 2023.

Asokohe, serbët lokalë protestuan kundër kryetarëve të rinj para ndërtesave komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, dhe për pasojë situata u përshkallëzua në dhunë.

Disa pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, u plagosën rëndë. Të plagosur kishte edhe nga ana e protestuesve.