​Gërvalla në hapje të takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së: Integrimi i shteteve proevropiane, jo vetëm çështje politike

Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla deklaroi sot se përgjigjja më e mirë ndaj agresionit rus është integrimi i shteteve pro-evropiane në Bashkimin Evropian. Ajo gjatë adresimit të saj për media në hapje të takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së sot në Luksemburg, ka theksuar qytetarët e Bashkimit Evropian duhet të binden se […]

​Gërvalla në hapje të takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së: Integrimi i shteteve proevropiane, jo vetëm çështje politike

Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla deklaroi sot se përgjigjja më e mirë ndaj agresionit rus është integrimi i shteteve pro-evropiane në Bashkimin Evropian.

Ajo gjatë adresimit të saj për media në hapje të takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së sot në Luksemburg, ka theksuar qytetarët e Bashkimit Evropian duhet të binden se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor e bën familjen evropiane më të fuqishme.

“Erdhëm sot në Luksemburg për të diskutuar për integrimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor në BE dhe jo vetëm të Ballkanit Perëndimor. Besoj se kjo është tema kryesore, duke parë integrimin e të gjithë Evropës, të atyre vendeve që u përmbahen vlerave evropiane, të cilët mbështesin parimet evropiane, dhe nuk paraqet vetëm një çështje politike, por janë më shumë çështje sigurie në Evropë. Në kohën kur po përballemi në Evropë me agresionin rus kundër Ukrainës, dhe kur një BE më i fortë është një përgjigje më e mirë për të përballuar sfidat e sotme dhe të ardhshme”, ka deklaruar ajo në një video-adresim në Facebook.

Ministrat e Jashtëm në Luksemburg do të diskutojnë mbi sfidat e politikës së jashtme dhe sigurisë gjatë viteve të ardhshme në BE, me fokus në rritjen e ndihmës për Ukrainën.

Ndryshe, zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian thanë të hënën se blloku duhet të vazhdojë punën për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, një zotim i kahershëm, i cili ka fituar në peshë për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Këto komente u bënë në prag të një takimi të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian me ministrat e Jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, për rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe punëve të jashtme.

Shefi i diplomacisë italiane, Antonio Tajani tha se Bashkimi Evropian duhet të ecë përpara me anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në bllok.

“Ne duhet të vazhdojmë drejt anëtarësimit të plotë përpara vitit 2030 për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më pas duhet të punojmë me Ukrainën dhe Moldavinë”, tha ai duke nënvizuar se vendet e Ballkanit janë kandidatë prej shumë vitesh.

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg tha se është e rëndësishme që Bashkimi Evropian të vazhdojë të mbajë vrullin për anëtarësimin e vendeve fqinje.

“Ne e pranojmë se kemi palë të treta, qoftë Rusia, Kina apo të tjera, të cilët po ushtrojnë ndikimin e tyre. Ballkani dhe Evropa Lindore janë fqinjësia jonë e afërt. Të dyja rajonet janë rreth pesëqind kilometra larg Vjenës. Ne duhet të arrijmë t’i kundërvihemi kësaj unaze zjarri që na rrethon ne, Bashkimin Evropian, me një unazë qëndrueshmërie dhe sigurie. Për mua, kjo është detyra më e madhe gjeostrategjike e Bashkimit Evropian”, tha ministri i jashtëm austriak.

Bashkimi Evropian kërkon nga vendet e Ballkanit Perëndimor që të tejkalojnë problemet mes tyre dhe të angazhohen për fqinjësi të mirë. Blloku ka kushtëzuar integrimet evropiane për Kosovën dhe Serbinë me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën palët u pajtuan vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.