Gjashtë vjet nga “Marrëveshja e Prespës”, Zaev dhe Tsipras me konferencë dyditore në Athinë

Sot bëhen gjashtë vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes historike në Prespë mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila i dha fund një sherri 27-vjeçar, për çështjen e emrit, pasi pretendonte se Maqedonia e ka vjedhur emrin e një rajoni grek. Si rrjedhojë, Maqedonia e ndryshoi emrin në Maqedonia e Veriut, ndërkaq Greqia u bë zë i përkrahjes […]

Gjashtë vjet nga “Marrëveshja e Prespës”, Zaev dhe Tsipras me konferencë dyditore në Athinë

Sot bëhen gjashtë vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes historike në Prespë mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila i dha fund një sherri 27-vjeçar, për çështjen e emrit, pasi pretendonte se Maqedonia e ka vjedhur emrin e një rajoni grek. Si rrjedhojë, Maqedonia e ndryshoi emrin në Maqedonia e Veriut, ndërkaq Greqia u bë zë i përkrahjes së vendit i cili kulmoi me anëtarësimin në NATO, por nuk i nisi negociatat për anëtarësim, pasi ia preu udhën Bullgaria, një tjetër fqinj i cili kërkon përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, shkruan Portalb.mk.

Me këtë rast, ish-kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, sot dhe nesër organizojnë Konferencën Ndërkombëtare për Paqe dhe Zhvillim të Qëndrueshëm në Athinë me rastin e gjashtë vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës. Ngjarja organizohet nga “Fondacioni Zaev” dhe “Instituti Aleksis Tsipras”.

Në kuadër të konferencës do t’i jepet një çmim Matthew Nimitz – ndërmjetësues në bisedimet për emrin.

Në konferencë, përveç Zaevit, do të marrin pjesë edhe ish-kryeministri dhe profesori aktual Vllado Buçkovski, ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe ish zëvendëskryeministri Nikolla Dimitrov, si dhe ish-ministri dhe deputeti aktual nga LSDM-ja, Venko Filipçe.

Sipas njoftimeve, në këtë ngjarje do të marrin pjesë përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak, ish-presidenti francez Francois Hollande, kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ish-kryeministrat e Suedisë dhe Greqisë, Stefan Lofven dhe Jorgos Papandreu, ish-presidenti i PE, Martin Scholz, ish-kreu i diplomacisë greke, Nikos Kozias, ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, si dhe kryetarët e komunave të Athinës dhe Stambollit, ndërsa ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së për Burimet e Energjisë dhe ish-ambasadori i SHBA-së në Greqi, Jeffrey Pyatt do të marrin pjesë online.

Me video-mesazh do t’i drejtohet edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në prag të dhënies së çmimit përfaqësuesit special të OKB-së në negociata, Matthew Nimitz.

Konferenca do të përfshijë tetë panel diskutime dy prej të cilave janë për Ballkanin, dy për zhvillimet rajonale dhe rolin e organizatave ndërkombëtare në promovimin e paqes, dy për të ardhmen e Evropës dhe trajtimin e ekstremit të djathtë, dhe një për krizën klimatike dhe agjendën e gjelbër dhe mbi ekonominë evropiane dhe greke.

Nënshkruesit e Marrëveshjes së Prespës, Nikola Dimitrov dhe Nikos Kozias, së bashku me ndërmjetësuesin dhe komisionerin për zgjerim, Johannes Hahn, sot pasdite do të diskutojnë për negociatat, zbatimin e marrëveshjes dhe nëse Prespa është model për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Për marrëveshjen e Prespës do të diskutojnë edhe Zaev e Tsipras.

Konferenca dyditore me rastin e gjashtëvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës u paralajmërua ditë më parë me një shkrim të përbashkët nga ish-kryeministrat e Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, në të cilën bënë thirrje BE-ja dhe komuniteti ndërkombëtar të bëjnë të ditur se respektimi i Marrëveshjes së Prespës është rruga e vetme e vendit drejt procesit të qasjes.

Gjashtë vjetori i Marrëveshjes së Prespës, Maqedoninë e Veriut e gjen në prag të formimit të Qeverisë së re, tashmë me partinë VMRO-DPMNE, e cila pritet të shihet nëse do t’i miratojë ndryshimet kushtetuese, të cilat janë të domosdoshme për vazhdimin e rrugës evropiane dhe largimin e vetos së Bullgarisë. Bullgaria, me të cilën vendi ynë ka nënshkruar dhe një marrëveshje për fqinjësi të mirë në vitin 2017-të, i ka vënë dy herë veto për fillimin e bisedimeve.

Në vijim ju sjellim një përshkrim të nisjes dhe zgjidhjes së problemit 27-vjeçar mes Maqedonisë Veriut dhe Greqisë

Greqia pretendonte se emri dhe flamuri i shtetit të Maqedonisë janë simbole greke dhe se në të ardhmen Maqedonia mund të ketë pretendime territoriale ndaj një rajonit të saj, e cila gjithashtu quhet Maqedoni.

Pavarësisht se Greqia insistonte në ndërrimin e emrit dhe flamurit, më 8 shtator vitit 1991 në Maqedoni u mbajt referendum për shpalljen e pavarësisë dhe më pas më 17 nëntor të po të njëjtit vit Maqedonia e shkruajti emrin në Kushtetutë dhe u deklarua se nuk ka pretendime territoriale ndaj Greqisë. Për shkak se flamuri i Maqedonisë përmbante yllin e Verginës (një diell me tetë cepa), një simbol grek, Maqedonia më pas flamurin e modifikoi, i cili u pranua nga pala greke.

Në vitin 2004, tre nga pesë anëtarët e Këshillit të Sigurimit, Rusia, SHBA-ja dhe Kina, e njohën Maqedoninë me emrin – Republika e Maqedonisë, megjithatë Franca dhe Mbretëria e Bashkuar nuk pranuan. Nga ana tjetër 104 shtete tjerë, në mesin e të cilave edhe Shqipëria dhe Kosova për marrëdhëniet bilaterale e përdornin emrin Republika e Maqedonisë.

Propozimet e OKB-së për të ndryshuar emrin nuk u pranuan nga pala greke, pasi që e njëjta nuk dëshironte që në emërtimin e shtetit fare të përdorej fjala Maqedoni. Andaj, OKB-ja ka vazhduar ta quajë Maqedoninë si Ish Republika Jugosllave e Republikës së Maqedonisë, ndërkaq Greqia e ka quajtur me emrin e kryeqytetit – Shkupi.

Çështja e emrit, ka hapur për Maqedoninë një sërë problemesh tjera, në mesin e të cilave janë edhe eurointegrimet, problemet e identitetit, historisë apo kulturës.

Me ardhjen në pushtet të VMRO-DPMNE-së, në vitin 2008-të, çështja e emrit në vend që të zgjidhej u përkeqësua edhe më shumë, pasi që në Samitin e Bukureshtit, Greqia vendosi veto për anëtarësim të Maqedonisë.

Ndërmjetësuesi Methju Nimic dhe Nikolla Gruevski, foto: VMRO-DPMNE

Partia me të cilën, udhëhiqte Nikolla Gruevski, pas vetos së Greqisë, edhe më shumë i ashpërsoi marrëdhëniet me fqinjin jugor dhe kështu për t’i vënë kulminacion konfliktit ai në vitin 2014-të e shpalosi projektin mbi 600 milionë euro “Shkupi 2014-të”, i cili parashihte vendosjen e përmendoreve dhe veshjen e disa ndërtesave me fasadë barok.

Në mesin e përmendoreve ishin edhe Aleksandri i Madh dhe Filipi i Dytë, për të cilët Greqia i llogaritë heronj helen dhe e akuzoi Shkupin për falsifikim dhe vjedhje të historisë dhe kulturës greke. Por pavarësisht kundërshtimit grek, Maqedonia asokohe i vendosi në qendër të Shkupit.

Përmendorja e Aleksandrit të Madh, Shkupi 2014. Foto: Portalb.mk

Negociatat mbetën të bllokuara deri në maj të vitit 2017-të, kur erdhi në pushtet partia majtiste LSDM, në krye me kryeministrin Zoran Zaev.

Bisedimet filluan menjëherë të intensifikohen dhe madje dolën në pah dhe emra konkret në lidhje me atë se si do të quhej emri i ri i shtetit, i cili gjithashtu do të ishte i pranueshëm edhe për palën greke.

Në bisedimet mes Maqedonisë dhe Greqisë u kyç edhe Methju Nimic, i dërguari i OKB-së për çështjen e emrit, i cili kishte pauzuar pasi që ishin bllokuar negociatat.

Derisa zhvilloheshin negociatat, opozita VMRO-DPMNE vazhdonte me retorikën kundër marrëveshjes, e cila ishte në një linjë me disa lëvizje proruse të cilat bënin protesta për të mos arritur marrëveshje me Greqinë, pasi që sipas tyre do t’u humbte identiteti. Lëvizja të tilla kishte edhe në Greqi, të cilat gjithashtu ishin kundër arritjes së marrëveshjes.

Protesta para Kuvendit te Maqedonisë kundër Marrëveshjes së Prespës 11.01.19, foto: Portalb.mk

Bisedimet për emrin zhvilloheshin nëpërmjet ministrave të Punëve të Jashtme të dyja vendeve, Nikolla Dimitrov nga Maqedonia dhe Nikos Koxias nga Greqia. Për emrin gjithashtu janë takuar dhe kanë biseduar edhe kryeministrat e dy vendeve, gjegjësisht Zoran Zaevit dhe kolegut të tij grek, Aleksis Cipras.

Kryeministri Zaev paralelisht me bisedimet me palën greke, i ftoi në takim edhe të gjithë liderët e partive politike në vend, përfshirë edhe presidentin e atëhershëm Gjorge Ivanov, i cili e përkrahte partinë e tij amë, VMRO-DPMNE.

Aleksis Cipras dhe Zoran Zaev, foto: Qeveria e RMV-së

Fillimisht u propozua emri Republika Ilinditase e Maqedonisë apo në maqedonisht Ilindenska, por e njëjta u refuzua dhe vazhduan negociatat.

Pas intensifikimit të bisedimeve, dy kryeministrat u kyçën për t’i zgjidhur dhe çështjet më kompleske dhe të njëjtit arritën marrëveshje, të cilën e nënshkruajtën më 17 qershor të vitit 2018-të në Prespë, në prani të Nimicit dhe përfaqësuesve të BE-së, Johanes Han dhe Federika Mogerini.

LEXO: Ditë historike, Maqedonia nënshkroi marrëveshjen për emrin me Greqinë (VIDEO) LEXO: Nuk rrënohet Aleksandri i Madh, detaje nga marrëveshja e emrit Maqedoni – Greqi

Sipas marrëveshjes Maqedonia do ta ndërronte emrin dhe do të quhej Maqedonia e Veriut, ndërkaq në aspektin e historisë, shteti ynë duhej të hiqte dorë nga heronjtë e lashtë grek, të cilët ishin përvetësuar dhe përshkruar si heronj maqedonas.

Marrëveshjen e plotë mund ta lexoni: KËTU Nikolla Dimitrov – Zoran Zaev – Aleksis Cipras – Nikos Koxias. Foto: Qeveria e RMV-së

Marrëveshja u nënshkrua, por opozita si ajo greke, por edhe ajo në Maqedoni të njëjtën nuk e pranuan dhe e shpallën si tradhti ndaj popullit. Në një linjë me to ishte edhe presidenti Ivanov, i cili madje i mbronte dhe protestuesit prorus të cilët bllokonin rrugët për shkak të nënshkrimit të marrëveshjes.

Nga ana tjetër, bota perëndimore e përshëndeti arritjen e marrëveshjes historike. Të gjitha shtetet e BE-së, por edhe SHBA-të, i uruan palët për tejkalimin e kontestit 27-vjeçar mes dy vendeve.

Për arritjen e Marrëveshjes kryeministrat Zaev dhe Cipras u nominuan për Çmim Nobel për paqe.

Megjithatë, për të hyrë në fuqi marrëveshja duhej të ratifikohej në të dyja vendet. Përpara votimit në Kuvend, Maqedonia shpalli referendum për emrin për më 30 shtator të vitit 2018-të, ku qytetarët do t’i pyeste nëse e pranonin emrin e ri Maqedonia e Veriut, i cili emër do t’ia hapte rrugën euroatlantike shtetit.

Gjatë fushatës së referendumit, Shkupi u bë qendër e personaliteteve të larta shtetërore të shteteve më të fuqishme botërore. Opozita dhe presidenti i shtetit e bojkotuan referendumin.

Fushata e referendumit për emrin. Foto: Qeveria e RMV-së

Në referendum votuan 666.743 votues (36.91%), 609.813 (91.46%) ishin për ndryshim të emrit, ndërkaq 37.700 (5.65%) ishin kundër.

Referendumi u shpall i suksesshëm dhe i pranuar nga bota perëndimore, ndonëse opozita e mohoi të njëjtën gjë për shkak të mosarritjes së censusit prej 50%.

Për t’u ratifikuar marrëveshja në Kuvend, duhej të bëheshin ndryshime kushtetuese të cilat këkonin shumicë prej dy të tretave, gjegjësisht 80-të deputetë, të cilat pushteti e kishte rëndë t’i sigurojë.

Disa deputetë të opozitares VMRO-DPMNE ishin kërcënuar nga kolegët e tyre që të mos votojnë për ndryshime kushtetuese. Pas bisedimeve dhe negociatave me palët, më 11 janar u caktua seancë plenare në të cilën deputetët do të duhej të votonin. Në mbrëmje, 81 deputetë, në mesin e të cilëve dhe 8 nga opozitarja VMRO-DPMNE, votuan për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës.

Pas votimit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend, me çka Maqedonia e ndryshoi emrin në Maqedonia e Veriut

Pas votimit, opozitarja VMRO-DPMNE i përjashtoi nga partia 8-të deputetët e saj.

Dy javë pas Maqedonisë, tanimë të Veriut, edhe Kuvendi i Greqisë e ratifikoi Marrëveshjen e Prespës me çka e njëjta hyri në fuqi. Me këtë rast, Greqia e hoqi bllokadën e vitit 2008-të për të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë së Veriut.

Maqedonia e Veriut me këtë rast e nënshkroi protokollin për anëtarësim në NATO dhe në maj të vitit 2020, u bë anëtare e plotë përkrahë 29 shteteve tjera.

Flamuri i Maqedonisë së Veriut në selinë e NATO-s

Ndonëse me vite të tëra, Maqedonia e Veriut merrte rekomandime për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, e njëjta nuk u bë deri përpara se të arrihej marrëveshja. Megjithatë, siç cekëm më lartë, fillimi i negociatave tani mbahet peng nga fqiu tjetër, Bullgaria.

LEXO: Dosje: Pesë vjet nga “Marrëveshja e Prespës” që i dha fund sherrit 27-vjeçar Maqedoni-Greqi