Gjyqi në Hagë/ Prokuroria kërkon 45 vite burg për 4 ish-krerët e UÇK-së

Në Gjykatën Speciale në Hagë ka nisur faza përfundimtare për rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi. Nga sot e deri më 18 shkurt, palët do të mbajnë deklaratat përmbyllëse. Seancat janë parashikuar të mbahen nga ora 09:00 deri në 16:30, thuhet ndër të […]

Gjyqi në Hagë/ Prokuroria kërkon 45 vite burg për 4 ish-krerët e UÇK-së

Në Gjykatën Speciale në Hagë ka nisur faza përfundimtare për rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi. Nga sot e deri më 18 shkurt, palët do të mbajnë deklaratat përmbyllëse.

Seancat janë parashikuar të mbahen nga ora 09:00 deri në 16:30, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Speciales. Sot do të paraqitet deklarata përmbyllëse e Prokurorisë, e cila do të vazhdojë edhe më 10 shkurt, së bashku me deklaratën përmbyllëse të Mbrojtjes së Viktimave. Më pas nga 11 shkurti do të jetë radha e ekipeve mbrojtëse të të pandehurve.

Prokuroria ka kërkuar 45 vite burg për ish-krerët e UÇK-së

Seanca nisi në orën 10:00 dhe në sallë janë të katër ish-krerët e UÇK-së, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi. Prokurorja e Specializuar, Kimberly West kërkoi 8 orë për shpalosjen e deklaratave.  Ajo ka pretenduar se 100 persona janë vrarë dhe qindra tjerë janë abuzuar, në dhe rreth 50 kampe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Kjo çështje ka të bëjë me qëllimin e katër të akuzuarve për të fituar dhe ushtruar kontroll në gjithë Kosovën. Kjo vendosmëri për kompetencë dhe fuqi u has me diçka, dhe kjo kishte të bënte me persona që kishin dalë si kundërshtarë ose përcaktoheshin se ishin bashkëpunëtorë me forcat serbe, ose zyrtarë serbë, ose që nuk mbështesinin synimet e UÇK-së”, u shpreh prokurorja. 

Sipas saj, shpesh aty përfshiheshin persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, persona romë dhe serbë.

“Në mënyrë që ta arrinin qëllimin e tyre, këta persona të akuzuar kanë kryer krime kundër kundërshtarëve të tyre të perceptuar për të pasur kontroll në gjithë Kosovën”, tha Prokurorja.

Prokurorja West ka thënë se nuk kërkohet dënim për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, por vetëm për personat e akuzuar, duke kërkuar 45 vjet burgim në total për 4 ish-krerët e UÇK-së. 

Akuzat për ish-krerët e UÇK-së

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje. Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat. Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa vende në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katërshes së UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020. Me t’u bërë publike, më 5 nëntor të po atij viti, të akuzuarit u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë. Pas përmbylljes së deklaratave, çështja kalon te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen dhe ta shpallin atë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.