Humbja tragjike e dy të rinjve në Itali, Faton Peci: Dhimbje për mbarë qytetin

Mitrovica është tronditur nga lajmi për humbjen tragjike të dy të rinjve mitrovicas, Fidan Peci (27 vjeç) dhe Ardian Avdyli (21 vjeç), të cilët humbën jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku në Itali.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, i cili ka shprehur ngushëllimet e tij më të sinqerta për familjet Peci dhe Avdyli, miqtë dhe të gjithë ata që i njohën të ndjerët.
“Në emrin tim personal dhe në emër të Komunës së Mitrovicës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve Peci dhe Avdyli. Humbja e jetëve të reja është dhimbje e madhe për familjet, por edhe për mbarë qytetin tonë dhe Kosovën. Në këto momente të rënda, jemi pranë jush me mendje dhe zemër,” thuhet në reagimin e tij.
Humbja e dy të rinjve ka prekur thellë qytetin e Mitrovicës, ndërsa familjarë, miq dhe qytetarë kanë shprehur dhimbjen dhe solidaritetin e tyre.
U prehshin në paqe.





