‘I shkrova Mozzikut pas këngës’, Loredana zbulon prapaskenat

‘I shkrova Mozzikut pas këngës’, Loredana zbulon prapaskenat

Loredana Zefi më në fund theu heshtjen! Pas një kohe të gjatë ku zgjodhi të qëndronte e tërhequr vetëm për hir të vajzës së tyre, Hanës, reperja hapi letrat rreth marrëdhënies me ish-partnerin e saj, Mozzik. Gjatë intervistës së transmetuar në podcast-in e Arbana Osmanit, ajo pranoi se kënga e fundit e reperit ishte pika që derdhi gotën dhe ndryshoi gjithçka.

Duket se drama preku kulmin sapo projekti u publikua. Loredana tregoi reagimin e saj të parë, duke e përshkruar momentin fiks ashtu siç do bënim të gjithë ne kur shohim diçka të papritur online. Ajo rrëfeu se ishte në shtëpi kur e pa videon dhe menjëherë mendoi: “Hajmedet, wtf, shumë e rëndë”. Reperja nuk la pa lexuar as komentet e publikut, duke theksuar se shumica e njerëzve e kishin dënuar këtë lëvizje të Mozzik duke e quajtur një “no go”.

Por përballja nuk mbeti vetëm në heshtje. Loredana mori situatën në dorë dhe i shkroi direkt atij, duke i bërë me dije se vajza e tyre ishte shumë keq. Kur e pyeti troç se përse e publikoi këtë këngë në YouTube, përgjigja e Mozzik ishte një justifikim se në fund të klipit ai kishte treguar respekt për nënën e fëmijës. Loredana i ktheu një përgjigje të prerë dhe reale, duke i thënë se fëmija nuk e dëgjon këngën deri në fund, por kap vetëm ato detaje që dëshiron të dëgjojë. Ajo i ka lënë dorë të lirë edhe Hanës, duke i thënë se mund të flasë me babanë e saj nëse do, ose të refuzojë pasi është e drejta e saj.

Duke shtuar më shumë benzinë zjarrit, artistja theksoi se kjo nuk ishte hera e parë që ai e ngacmon drejtpërdrejt, por këtë radhë situata ishte ndryshe për shkak të ndikimit tek vajza.

“Mua më vjen shumë turp për çikën, por mosha e bën të veten”, u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet se pavarësisht provokimeve të njëpasnjëshme, fokusi i saj kryesor mbetet vetëm mirëqenia e Hanës, e cila tashmë është 7 vjeç dhe po fillon të kuptojë shumë mirë situatat rreth saj. Një gjë është e sigurt, kjo telenovelë mes dyshes duket se nuk ka ndërmend të përfundojë së shpejti.