Identifikohen mbetjet mortore të Myrteza Dylhasit nga Gjakova, rivarroset të premten

Identifikohen mbetjet mortore të Myrteza Dylhasit nga Gjakova, rivarroset të premten

Të premten do të rivarroset Myrteza Dylhasi nga Gjakova, i cili ishte rrëmbyer nga forcat e regjimit serb gjatë luftës së fundit në Kosovë, e mbetjet mortore të të cilit u identifikuan të martën nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML).

Në nderim të Dylhasit, Komuna e Gjakovës ka organizuar edhe homazhe.

Në ora 12:00 parashihet të bëhen homazhe në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, për të vazhduar më pasë në ora 13:00 tek Kompleksi Memorial në Çabrat, aty ku edhe do të bëhet ceremonia e rivarrimit.

Më 27 mars 1999, Myrteza Dylhasi, së bashku me babanë e tij Skënder Dylhasi, me gjashtë anëtarë të familjes Qerkezi, dy fqinjët e familjes Jetishi dhe një anëtar të familjes Ymeraga, u morën nga forcat serbe, nga shtëpia e Halim Qerkezit në Gjakovë”.

Myrteza Dylhasi është vëllai i Flamurit, i cili punon si mjek në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Këtë e bëri të ditur kolegu i tij, Naim Uka, i cili ka rrëfyer përvojën e tij profesionale, duke theksuar se që nga fillimi i karrierës, çështja e personave të zhdukur ka shoqëruar çdo hap të tij.

Ai veçanërisht nënvizon bashkëpunimin me Dr.Flamur Dylhasin, i cili siç tha ai, ka humbur babanë dhe vëllain nga regjimi serb.

Duke folur për Flamurin, Naim Uka tha se nga familja e tij, vëllai është tashmë i identifikuar, ndërsa babai mbetet ende në listat e të zhdukurve, duke lënë familjen me një boshllëk të thellë emocional.

“Në situata të tilla, fjalët janë të mangëta, ndërsa dhimbja vazhdon të rëndojë mbi familjarët e atyre që ende mungojnë. Lavdi e përjetshme martirëve të Kosovës! Lavdi martirit Myrteza Dylhasi! I qoftë i lehtë dheu i Kosovës, martirit gjakovar”, ka shkruarUka.