IKD: Qeveria miratoi ligje në kundërshtim me Kushtetutën, shkeli aktgjykimet e Kushtetueses

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar që Qeveria e Kosovës ka miratuar ligje në kundërshtim me Kushtetutën, dhe se i ka shkelur aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Ata po ashtu, sipas monitorimit në kuadër të programit të tyre, “Qeverisja e Mirë”, kanë vlerësuar që qeveria ka marrë vendime pa konsultime të mjaftueshme publike, dhe ka […]

IKD: Qeveria miratoi ligje në kundërshtim me Kushtetutën, shkeli aktgjykimet e Kushtetueses

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar që Qeveria e Kosovës ka miratuar ligje në kundërshtim me Kushtetutën, dhe se i ka shkelur aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.

Ata po ashtu, sipas monitorimit në kuadër të programit të tyre, “Qeverisja e Mirë”, kanë vlerësuar që qeveria ka marrë vendime pa konsultime të mjaftueshme publike, dhe ka realizuar vetëm 15% të agjendës legjislative të planifikuar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2024.

“Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, IKD ka identifikuar mangësi thelbësore në qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj planifikimit legjislativ”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

“Për të tretin vit radhazi, Qeveria dështoi të miratojë programin legjislativ në fillim të janarit, duke e miratuar më një muaj vonesë. Kjo vonesë ka cenuar procesin e planifikimit dhe ka krijuar pasiguri për publikun, organizatat e shoqërisë civile, qytetarët dhe institucionet përkatëse”.

“Pas miratimit të vonuar, programi legjislativ shpesh është ndryshuar, duke treguar mungesën e një strategjie të qartë dhe të qëndrueshme. Programi për këtë vit i’u nënshtrua ndryshimeve në shkurt”.

IKD-ja kë thënë që është çështje shqetësuese mospërfshirja e projektligjeve që rrjedhin nga aktygjimet e Gjykatës Kushtetuese, Planit Kombëtar për Zhvillim dhe Porgramit Qeverisës 2021-2025 në programin legjislativ.

“Mospërfshirja e tyre reflekton mungesë përkushtimi ndaj reformave strukturore dhe prioriteteve të qeverisë. Kjo mangësi e përsëritur tregon paaftësi në zbatimin e politikave publike, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e qeverisjes dhe aftësinë për të adresuar nevojat e qytetarëve”.

“Për më tepër, kjo neglizhencë mund të shkelë standardet demokratike dhe të zbehë besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore”.

“Sipas programit legjislativ, Qeveria planifikoi miratimin e 52 projektligjeve deri në qershor, por nga 52, ajo miratoi vetëm 8, ose 15% të projektligjeve të planifikuara. Gjatë kësaj periudhe, Qeveria miratoi edhe 10 marrëveshje ndërkombëtare që nuk ishin planifikuar për miratim në programin legjislati”.

“Në bazë të rezultateve të lartcekura, efikasiteti i Qeverisë në realizim të agjendës legjislative për gjashtëmujorin e parë do të arrinte vetëm 32%”.

Për sa u përket premtimeve elektorale, IKD-ja ka gjetur që kjo qeveri ka dështuar që t’i përcjellë me miratim, por që edhe kur i ka miratuar, kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën dhe që disa ligje i ka proceduar vetëm pas detyrimit nga Gjykata Kushtetuese.

Kjo organizatë po ashtu ka gjetur që në dy raste Qeveria e Kosovës është vonuar në zbatimin e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke shkelur kështu aktgjykimet dhe afatet e përcaktuara.