Incident me armë zjarri në rrugën Gjilan–Kamenicë, një person dërgohet në spital

Incident me armë zjarri në rrugën Gjilan–Kamenicë, një person dërgohet në spital

Një incident me armë zjarri është raportuar të mërkurën, rreth orës 18:00, në rrugën Gjilan–Kamenicë, në afërsi të një pike të karburantit. Sipas Policisë së Kosovës, si pasojë e incidentit një person ka përfunduar në Spitalin Rajonal të Gjilanit për trajtim mjekësor, ndërsa gjendja e tij shëndetësore po monitorohet nga autoritetet shëndetësore.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjilanit, Ismet Hashani, ka bërë të ditur se njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku gjatë ekzaminimit janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me rastin.

“Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se në incident kanë qenë të përfshira dy automjete në lëvizje. Si pasojë e rastit, një person ka kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Gjilanit dhe aktualisht po trajtohet nga autoritetet shëndetësore,” ka deklaruar Hashani.

Ai ka shtuar se Policia, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe se janë në kërkim të personave të dyshuar lidhur me këtë rast.  Hetimet janë në vazhdim, ndërsa Policia nuk ka dhënë ende detaje shtesë për motivin e incidentit.