Juventusi nuk ngutet ta shesë Zhegrovën, Al-Ittihadi ofron 15 milionë euro

Juventusi nuk ngutet ta shesë Zhegrovën, Al-Ittihadi ofron 15 milionë euro

Juventusi është i interesuar ta shesë Edon Zhegrovën gjatë këtij afati kalimtar, por klubi italian nuk po ngutet për ta finalizuar transferimin e tij, transmeton albinfo.ch.

Sipas mediave pranë klubit torinez, Juventusi po e shqyrton me kujdes situatën dhe mund t’u japë përparësi negociatave të tjera, duke pasur parasysh se afati kalimtar në Arabinë Saudite mbyllet më 12 tetor.

Në Itali është raportuar se Al-Ittihadi ka paraqitur ofertë prej 15 milionë eurosh për 27-vjeçarin kosovar.

“Në Arabinë Saudite afati i transferimeve do të mbyllet më 12 tetor. Kjo i jep Juventusit kohë të mjaftueshme për të finalizuar transferimin e Zhegrovës në Al-Ittihad. Prandaj, përparësi mund t’u jepet negociatave të tjera”, ka shkruar “TuttoJuve”.

Për shërbimet e Zhegrovës interesim kanë shfaqur edhe klube nga Franca dhe Anglia, çka mund t’i japë Juventusit më shumë mundësi për të zgjedhur ofertën më të përshtatshme.

Zhegrova nuk pati shumë hapësirë te Juventusi gjatë sezonit të kaluar, ndërsa edhe në fillimin e edicionit të ri situata e tij nuk ka ndryshuar ndjeshëm.

Sulmuesi i krahut deri më tani ka luajtur vetëm 21 minuta këtë edicion, ndërsa në ndeshjen ndaj Parmës nuk ishte fare pjesë e ekipit.

Për momentin, Juventusi duket se preferon të presë dhe të vlerësojë të gjitha ofertat para se të marrë vendimin për të ardhmen e Zhegrovës. /Albinfo.ch

The post Juventusi nuk ngutet ta shesë Zhegrovën, Al-Ittihadi ofron 15 milionë euro appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.