Dion Kaçuri e lë zyrtarisht Zvicrën për Kosovën, ftohet për Ligën e Kombeve

Mesfushori Dion Kacuri pritet t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës për ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve, pasi ka marrë ftesë nga përzgjedhësi Franco Foda, transmeton albinfo.ch.
Sipas raportimeve, 22-vjeçari ka marrë ftesën para dy ditësh dhe i është përgjigjur pozitivisht Kosovës. Kacuri bëhet kështu një tjetër futbollist që kalon nga përfaqësimi i grupmoshave të Zvicrës te Kombëtarja e Kosovës.
Kacuri aktualisht është pjesë e skuadrës austriake Lustenau, ku luan si i huazuar nga Baseli. Në këtë edicion ai ka zhvilluar gjashtë paraqitje dhe ka shënuar një gol.
Mesfushori luan kryesisht në qendër të mesfushës, por mund të aktivizohet edhe si numër 6 apo numër 10, duke mbuluar role si në fazën defensive, ashtu edhe në atë ofensive.
Foda thuhet se e ka ndjekur nga afër Kacurin në ndeshjen ndaj Sturm Graz, ku përzgjedhësi i Kosovës ishte i pranishëm në tribuna.
Kacuri ka qenë pjesë e Zvicrës U18, U19, U20 dhe U21, duke regjistruar gjithsej 18 paraqitje dhe tri gola. Në mediat zvicerane ai është vlerësuar më herët si një prej futbollistëve me potencial për të pasuar Granit Xhakën në mesfushën e përfaqësueses.
22-vjeçari e njeh edhe futbollistin e Kosovës, Leon Avdullahun, me të cilin kishte luajtur së bashku te Baseli në vitin 2024.
Lista e plotë e Kosovës për ndeshjet e ardhshme pritet të bëhet publike në fund të javës.
“Dardanët” do të zhvillojnë katër ndeshje brenda 14 ditësh. Fushatën do ta nisin më 24 shtator ndaj Irlandës në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa më 27 shtator do të përballen me Austrinë në transfertë.
Më 1 tetor, Kosova do të luajë ndaj Izraelit në Hungari, ndërsa tri ditë më vonë, më 4 tetor, do ta presë sërish Austrinë në Prishtinë./Albinfo.ch
The post Dion Kaçuri e lë zyrtarisht Zvicrën për Kosovën, ftohet për Ligën e Kombeve appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



