Kastriot Imeri transferohet në Bundesligë, bashkohet me Union Berlin

Futbollisti kosovar Kastriot Imeri ka bërë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij, duke u transferuar nga Superliga e Zvicrës në Bundesligën gjermane, përcjell albinfo.ch.
Mesfushori 26-vjeçar, i cili deri tani ishte pjesë e Young Boys, ka kaluar te Union Berlin, duke iu bashkuar një prej kampionateve më të forta në Evropë.
Imeri prej disa vitesh është konsideruar një prej mesfushorëve solidë të futbollit zviceran. Transferimi në Gjermani për të paraqet një mundësi të re për të dëshmuar vlerat e tij në një nivel më të lartë.
Një faktor i rëndësishëm në vendimin e tij ka qenë edhe mundësia për të punuar sërish me trajnerin Mauro Lustrinelli, me të cilin sezonin e kaluar e fitoi titullin e Zvicrës te Thun.
“Kalimi te Union Berlin është një sfidë e madhe për mua dhe, në të njëjtën kohë, një mundësi e madhe”, ka deklaruar Imeri.
“Bundesliga është një prej ligave më të forta në botë, ndërsa Union Berlin është zhvilluar shumë në vitet e fundit. Një faktor i rëndësishëm për mua ishte edhe puna sërish me Mauron. Ne e njohim njëri-tjetrin shumë mirë”, ka shtuar ai.
Gjatë karrierës së tij, Imeri ka luajtur për Servette, Young Boys dhe Thun, ku ishte i huazuar gjatë edicionit të kaluar.
Në nivel ndërkombëtar, Imeri ka regjistruar një paraqitje me kombëtaren e Zvicrës. Transferimi në Bundesligë mund t’i japë atij një mundësi të re për t’u rikthyer në planet e përfaqësueses zvicerane.
Union Berlin, ndërkohë, e përfundoi sezonin e kaluar në Bundesligë në vendin e 11-të.
Transferimi në Gjermani shënon kështu një kapitull të ri për Imerin, i cili tashmë do të ketë mundësinë të tregojë potencialin e tij në një nga skenat më prestigjioze të futbollit evropian. /Albinfo.ch
The post Kastriot Imeri transferohet në Bundesligë, bashkohet me Union Berlin appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



