Katër vjet luftë me Rusinë, refugjatët ukrainas në Kosovë e mësojnë shqipen

Lyudmila Makey, gazetare ukrainase që jeton tash e sa vjet në Kosovë, në katërvjetorin e luftës së nisur nga Rusia, ka treguar për përjetimet e saj nga larg. Teksa ka thënë se e ka të vështirë të jetojë larg familjes dhe mendjen e ka vazhdimisht atje, Makey ka thënë se e ka shfrytëzuar qëndrimin në

Katër vjet luftë me Rusinë, refugjatët ukrainas në Kosovë e mësojnë shqipen
kater-vjet-lufte-me-rusine,-refugjatet-ukrainas-ne-kosove-e-mesojne-shqipen

kater-vjet-lufte-me-rusine,-refugjatet-ukrainas-ne-kosove-e-mesojne-shqipen

Lyudmila Makey, gazetare ukrainase që jeton tash e sa vjet në Kosovë, në katërvjetorin e luftës së nisur nga Rusia, ka treguar për përjetimet e saj nga larg. Teksa ka thënë se e ka të vështirë të jetojë larg familjes dhe mendjen e ka vazhdimisht atje, Makey ka thënë se e ka shfrytëzuar qëndrimin në Kosovë për ta mësuar gjuhën shqipe.

“Sigurisht që për mua ka qenë e vështirë të jem këtu fillimisht. Familja ime është shumë larg nga unë. Ajo vazhdon të qëndrojë akoma në Ukrainë dhe unë çdo mëngjes zgjohem e bie në mbrëmje me mendime për familjen time. Vajza ime vazhdon të qëndrojë në Kiev dhe siç e dini atje është katastrofë humanitare”, ka thënë ajo.

Makey ka treguar se në Kosovë ka marrë mbështetje të madhe nga qytetarët, por edhe nga institucionet. “Unë e ndjej mbështetjen dhe përkrahjen nga populli i Kosovës, nga Qeveria dhe nga organizata joqeveritare. Kur unë kaloj nëpër rrugë një qytetar i Kosovës më përshëndet duke më thënë ‘Slavi Ukraini’ (rroftë Ukraina) dhe unë ia kthej Rroftë Kosova”, ka thënë ajo.

Ajo është shprehur e kënaqur me programin e gazetarëve të ofruar nga autoritetet në Kosovë.

“Ne këtu nuk jemi vetëm si refugjatë, por vazhdojmë të punojmë duke e vazhduar jetën aktive si gazetare. Sot për përvjetorin e katërt të luftës ne do të mblidhemi në sheshin “Zahir Pajaziti” në ora 17:00 për t’i nderuar ata ushtarë që kanë vdekur në luftë dhe t’i tregojmë jo vetëm Kosovës, por krejt botës që ende po luftojmë, që jemi gjallë dhe po vazhdojmë jetën aktive”, ka shtuar ajo.

Ka treguar edhe fjalët më të pëlqyera në gjuhën shqipe.

“Desha ta përmend si histori takimin tim të parë me kryeministrin Albin Kurti. Unë s’e kam ditur aspak gjuhën shqipe dhe jam munduar të mbaj mend disa fjalë që përdorin shumë nga miqtë e mi. Njëra nga ato fjalë ka qenë ‘Çka bone?’ Mua më pëlqen si fjalë shumë dhe vendosa ta përdori në takimin e parë me kryeministrin. Takimi ka qenë zyrtar dhe ne të gjithë kemi qenë të veshur me kod të veshjes dhe të gjithë kanë qenë seriozë. Unë i kam thënë ‘Çka bone kryeministër?’ Dhe unë nuk e kuptova pse të gjithë qeshën. Tash unë e kuptoj që kjo ishte një gjuhë e zakonshme që përdoret në përditshmëri, por jo në takime zyrtare. Tani sigurisht kur takohem bisedat tona janë më serioze”, ka thënë ajo.

Makey ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk do të ndalet vetëm me Ukrainën.

“Askush nuk e di kur do të përfundojë lufta, por çka desha të tregoj është se në katër vjetët e fundit, në luftën e Ukrainës, jam mësuar të jetoj në realitetin e ri. E kemi kuptuar që lufta mund të zgjasë shumë. Por ne do të luftojmë derisa të kemi mundësi e fuqi sepse kjo luftë është për mbijetesë të popullit të Ukrainës. Kjo nuk është luftë për territorin e Ukrainës. Nëse e paramendoni që tash nënshkruhet marrëveshja mes Ukrainës dhe Rusisë dhe bëhet për një kohë paqe, unë besoj që Putini vetëm vazhdon t’i mbledhë forcat dhe armët që ta sulmojë jo vetëm Ukrainën, por edhe Evropën”, ka thënë ajo.

Ndërkaq Kushtrim Nreci nga Ministria e Punëve të Brendshme, që merret ekskluzivisht me refugjatët, ka thënë se Kosova nuk e sheh këtë vetëm si zhvillim ndërkombëtar apo luftë të rëndomtë, por e ndien brengën dhe dhimbjen e qytetarëve të Ukrainës. “Ne jemi ata që kemi kaluar nga lufta, dhe më mirë se ne askush nuk mund t’i dijë dhimbjet e tyre”, ka thënë ai.

Nreci ka thënë se numri i azilkërkuesve nga Ukraina është i vogël, megjithatë sipas tij programi i strehimit të gazetarëve ukrainas është ndër më të suksesshmit në Evropë.

“Mund të themi që gazetarët që e kanë pa Kosovën si vend të qëndrimit kanë përjetuar integrim të qëndrueshëm, që lirshëm reportazhet e tyre t’i bëjnë lirshëm nga Kosova dhe ndihemi mirë që sado pak u jemi gjetur në ndihmë dhe t’i ndajmë dhimbjet”, ka thënë ai.

Në Kosovë janë pranuar 19 gazetarë nga Ukraina.