Komercialja aprovon pjesërisht ankesën e Telekomit, ia lë në fuqi borxhin mbi 5 milionësh ndaj Dardafonit

Dhomat e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale kanë aprovuar pjesërisht ankesën e debitorit Telekomi i Kosovës Sh.A, duke shfuqizuar pjesërisht urdhrin përmbarimorë për shumën prej 282 mijë e 931 euro 51 centë, por ka lënë në fuqi detyrimin e Telekomit për Dardafon në vlerën prej 5 milionë e 449 mijë 939 euro e 83 […]

Komercialja aprovon pjesërisht ankesën e Telekomit, ia lë në fuqi borxhin mbi 5 milionësh ndaj Dardafonit

Dhomat e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale kanë aprovuar pjesërisht ankesën e debitorit Telekomi i Kosovës Sh.A, duke shfuqizuar pjesërisht urdhrin përmbarimorë për shumën prej 282 mijë e 931 euro 51 centë, por ka lënë në fuqi detyrimin e Telekomit për Dardafon në vlerën prej 5 milionë e 449 mijë 939 euro e 83 centë.

“Shfuqizohet pjesërisht urdhri për lejimin e përmbarimit …i datës 15.07.2019, i lejuar nga Përmbaruesi Privat Ilir Mulhaxha, për pjesën e detyrimit në shumën prej 282,931.51 € (dyqind e tetëdhjetë e dy mijë e nëntëqind e tridhjetë e një euro e pesëdhjetë e një cent). Mbetet në fuqi urdhri për lejimin e përmbarimit … i datës 15.07.2019, i lejuar nga Përmbaruesi Privat Ilir Mulhaxha, për pjesën e detyrimit në shumën prej 5,449,939.83€ (pesë milion e katërqind e katër dhjetë e nëntë mijë e nëntëqind e tridhjetë e nëntë euro e tetëdhjetë e tre cent”, thuhet në vendimin e Gjykatës Komerciale, të marrë më 7 qershor 2024, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas Komerciales, gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar me të drejtë se vendimi final i arbitrazhit plotëson kushtet ligjore që të konsiderohet dokument i përmbarueshëm mbi të cilën është bazë për titull ekzekutiv dhe si dokument është i përshtatshëm për përmbarim.

Tutje, në vendim thuhet se, gjykata ka vërejtur se me vendimin e arbitrazhit palët në procedurë kishin pranuar si vendim dhe ishin në dijeni se ky vendim i Tribunalit të Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare (ICC) paraqet vendim final.

Prandaj, sipas Komerciale, Dardafon pas nxjerrjes së vendimi të Tribunalit të Arbitrazhit ka pas një pritshmëri legjitime pasi që si dokument përmbarimorë është i njohur dhe i ekzekutueshëm në Republikën e Kosovës.

Sipas Komerciale pretendimet e debitorit, Telekomi i Kosovës Sh.A se vendimi i arbitrazhit si dokument përmbarues të ketë klauzolë të përmbarueshmërisë është i pabazë dhe se pikërisht vendimi për njohje dhe ekzekutim të tij, bën që i njëjti të jetë titull përmbarimor i përshtatshëm për përmbarim.

Në vendimin e Komerciales theksohet se në Dhomat e shkallës së dytë, është vlerësuar si e nevojshme nxjerrja e ekspertizës financiare për të përcaktuar pagesat e kryera nga debitori dhe kamatat që implikojnë borxhin nga pagesat e kryera.

Andaj, sipas Dhomave të shkallës së dytë të Komerciales pas përfundimi të ekspertizës financiare ka ardhur në përfundimi se borxhi përfundimtar i Telekomi i Kosovës Sh.A ndaj Dardafon është 5 milionë e 449 mijë e 939 euro e 83 centë, pasi që borxhi fillestar ishte në vlerën e 5 milionë e 732 mijë e 871 euro e 34 centë, nga e cila rezulton se duhet shfuqizuar urdhri për përmbarim për shumën prej 282 mijë e 931 euro e 51 centë.
Komercialja po ashtu ka sqaruar se vendimi i përmbaruesit privat Ilir Mulhaxhaj për bllokimin e llogarive bankare të i Telekomi i Kosovës Sh.A ishte i ligjshëm pasi që nuk është realizuar paraprakisht pagesa vullnetarisht dhe se bllokimi i llogarive bankare paraqet mjet përmbarimi të paraparë sipas Ligjit për Procedurën Përmbarimore.

Sipas këtij vendimi, nuk mund të pretendohet nga Telekomi i Kosovës Sh.A se marrëveshja me Dardafon e vitit 2020 ishte e dëmshme dhe se e njëjta nuk mund të këtë fuqi juridike pasi që ka qenë përgjegjësi e vetë Telekomit që të mos lidh marrëveshje të dëmshme.

Gjithashtu Komercialja ka sqaruar se nuk ekziston mjeti i caktimit të e masës së përkohshme të sigurimit për të cilën Telekomi i Kosovës Sh.A ka pretenduar dhe se në përmbarim ekziston vetëm prapsim si mjetë i goditjes së vendimit të urdhrit përmbarimorë.

Ndryshe, shkalla e parë e Gjykatës Komerciale përmes aktvendimit të 17 korrikut 2023 e kishte refuzuar propozimin e debitorit Telekomi i Kosovës për caktimin e masës së sigurimit për pezullimin e procedurës përmbarimore të iniciuar nga Dardafon, rrjedhimisht kishte refuzuar edhe ankesën e parashtruar nga Telekomi.

Kundër të këtij aktvendimi, në afatin ligjor kishte ushtruar ankesë debitori- Telekom, për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, zbatimit të gabuar të së drejtës materiale dhe shkeljes së nenit 69, par. 4 të LPP–së, me propozim që dhomat e shkallës së dytë ta aprovojnë si të themeltë ankesën, ta prishin vendimin e shkallës së parë dhe ta kthejnë çështjen në rivendosje.

Kurse, përgjigje në ankesën e debitorit, kishte paraqitur kreditori-Dardafon, me propozim që të refuzohet si e pabazuar ankesa e kreditorit e parashtruar kundër aktvendimit të ankimuar dhe njëkohësisht të vërtetohet aktvendimi i shkallës së parë, lidhur me urdhrin për caktimin e përmbarimit të 15 korrikut 2019, i lëshuar nga përmbaruesi privat, Ilir Mulhaxha.

Kështu, Dhoma e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale përmes vendimit të 30 nëntorit 2023, e ka aprovuar si të themeltë ankesën e debitorit Telekomi i Kosovës, ndërsa ka prishur aktvendimin e shkallës së parë të 17 korrikut 2023, duke e kthyer çështjen në rishqyrtim dhe rivendosje në shkallë të parë.

Ndryshe, ndaj vendimit të 16 shkurtit 2024, Telekomi i Kosovës ka reaguar përmes një komunikate për medie, duke thënë se sipas këtij vendimi, hapen rrugë për bllokimin e llogarive bankare të Telekomit “dhe grabitjen e shumës prej mbi 5.7 milionë € të tjera”. /BetimipërDrejtësi