Konfirmohet Balluku, ikën Spiropali! Si i ndryshoi Rama drejtuesit e qarqeve
Partia Socialiste ka nisur punën për zgjedhjet vendore 2027 dhe në mbledhjen e Asamblesë u bënë ndryshime të drejtuesve politikë në 6 qarqe. Kryesocialsiti Edi Rama ka larguar Elisa Spiropalin, Eduart Shalsin, Benet Becin dhe Emirjana Sakon, ndërsa ka konfirmuar drejtuesit në 6 qarqe: Fier, Vlorë, Korçë, Gjirokastër, Berat dhe Elbasan. Dy ministrave të rinj, […]
Partia Socialiste ka nisur punën për zgjedhjet vendore 2027 dhe në mbledhjen e Asamblesë u bënë ndryshime të drejtuesve politikë në 6 qarqe. Kryesocialsiti Edi Rama ka larguar Elisa Spiropalin, Eduart Shalsin, Benet Becin dhe Emirjana Sakon, ndërsa ka konfirmuar drejtuesit në 6 qarqe: Fier, Vlorë, Korçë, Gjirokastër, Berat dhe Elbasan. Dy ministrave të rinj, të paprovuar me votë, iu beson drejtimin e Shkodrës dhe Lezhës.
“Ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë dhe ne duhet ta ngremë Tiranën më lart sesa mesi i atij klasifikimi. Me çdo kusht”. Mes këtyre kritikave, kryesocialsiti Edi Rama ka larguar nga drejtimi i qarkut më të madh, Tirana, Elisa Spiropalin dhe ia ka besuar atë kreut të grupit të PS, Taulant Balla, i cili do të vijojë të mbajë edhe postin e koordinatorit të PS për diasporën, por edhe drejtimin e njësisë numër 5 bashkë me Erion Braçen dhe Fatmir Xhafajn.
Pasi u shkarkua si ministre e Jashtme, pozitat e Spiropalit dobësohen edhe brenda partisë. Ajo nuk do të udhëheqë më asnjë qark, veçse do jetë drejtuese e njësisë numër 13 në Tiranë bashkë me Anila Denajn. Ogerta Manastirliu mbetet drejtuese politike e PS në Bashkinë Tiranë. Ndonëse me fitore të thella, socialistët janë të bindur se nuk kanë bërë punë sa duhet për Tiranën.
“Tirana është një qark i fituar, por jo në maksimumin tonë”, tha sekretari i përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, ndërsa Fierin e vlerësoi si qarkun më të fortë dhe me fitoren më të thellë. Në këtë qark, Rama konfirmoi Belinda Ballukun, të cilën e shkarkoi si numrin 2 të qeverisë, por nuk lejoi arrestimin e saj nga SPAK. Përveç Ballukut, konfirmohen Bledi Çuçi në Vlorë, Niko Peleshi në Korçë, Mirela Kumbaro në Gjirokastër, Arbian Mazniku në Elbasan dhe Ervin Demo në Berat.
Dy ndryshime që bien në sy janë përfshirja e dy ministrave të rinj në drejtimin e qarkut Shkodër, që i besohet ministrit të Energjisë, Enea Karakaçi dhe Lezha ministrit të Mbrojtjes Ermal Nufi. Ky i fundit zëvendëson Ulsi Manjën, me një rezultat të fortë në Lezhë në zgjedhjet e 2025-ës, ku për 71 vota nuk e përmbysi dot rezultatin 4-3 për demokratët. Ulsi Manja do të rikthehet në Dibër, ku do të zëvendësojë Blendi Klosin.
Deputeti Klosi do të marrë drejtimin e qarkut të Durrësit, nga i cili largohet kryebashkiakja Emirjana Sako. Ndërsa në Kukës ku ikën Eduard Shalsi, Rama provon një tjetër figurë të re në PS, deputetin e Tiranës Erion Malaj, i cili u përfshi në listën e sigurt të socialistëve në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.
Taulant Balla ruajti edhe postin e koordinatorit të PS për diasporën, ndërsa në Asamble u miratua edhe një pr.vendim për organizimin e partisë jashtë kufijve, ku PS synon të shtrijë strukturat e saj. Socialistët do të nisin një fushatë të gjerë regjistrimi të anëtarësisë në shtetet, ku jetojnë pjesa më e madhe e shqiptarëve, Itali, SHBA, Gjermani, Kanada, dhe Mbretëri e Bashkuar. Afati për regjistrimin e emigrantëve do të nisë më 30 mars dhe do të zgjasë deri më në 30 shtator, ndërsa regjistrimi është bërë më herët vetëm në Greqi.
“Zgjedhjet e reja vendore nuk kanë pjesëmarrje të diasporës, por ama zgjedhjet vendore janë momenti për t’i kthyer diasporës vëmendjen që meriton”, tha Rama.
Blendi Klosi la objektiv anëtarësimin e 4 anëtarëve të rinj (2 femra dhe 2 meshkuj) për çdo organizatë socialiste, ndërsa kryesocialisti Rama e quajti të pafalshme faktin që në PS vetëm 34% e anëtarësisë përbëhet nga gratë dhe kërkoi që këtë nivel ta çojnë në 50%. Kryetarëve të Bashkive iu vendosi ultimatum se nuk do t’i lejojë të kandidojnë në vendoret e 2027-ës, pa dhjetë kontrata të firmosura në kuadrin e Paketës së Maleve dhe pa tre ndërmarrje të përbashkëta të miratuara.
Ndryshimet në Qarqe
Qarku Tiranë – Taulant Balla- ikën Elisa Spiropali
Bashkia Tiranë – Ogerta Manastirliu
Qarku Durrës – Blendi Klosi- ikën Emirjana Sako
Qarku Lezhë – Ermal Nufi- zëvendëson Ulsi Manjën
Qarku Shkodër – Enea Karakaçi- ikën Benet Beci
Qarku Dibër – Ulsi Manja – zëvendëson Blendi Klosin
Qarku Kukës – Erjon Malaj– ikën Eduard Shalsi
Qarku Elbasan – Arbian Mazniku- Konfirmohet
Qarku Berat – Ervin Demo- Konfirmohet
Qarku Fier – Belinda Balluku– Konfirmohet
Qarku Vlorë– Bledi Çuçi- Konfirmohet
Qarku Gjirokastër– Mirela Kumbaro- Konfirmohet
Qarku Korçë– Niko Peleshi- Konfirmohet
Shpërndarja e deputetëve për Tiranën
Njësia 1- Lindita Nikolla
Njësia 2- Gent Gazheli, Delina Ibrahimaj dhe Olta Manjani
Njësia 3– Iris Luarasi dhe Edona Bilali
Njësia 4- Damian Gjiknuri dhe Blerina Gjylameti
Njësia 5– Erion Braçe, Taulant Balla dhe Fatmir Xhafaj
Njësia 6- Albana Koçiu, Endrit Yzeiraj, Megi Fino
Njësia 7– Sofan Jaupaj, Enkelejd Musabelliu
Njësia 8– Igli Hasani, Vilma Premti
Njësia 9– Ogerta Manastirliu, Olti Muzaka
Njësia 10- Besfort Lamallari
Njësia 11– Eduard Shalsi
Njësia 13– Elisa Spiropali dhe Anila Denaj

