Konjufca në takimin e SEECP: Më 24 shtator ’23 u krye sulm i egër terr*orist ndaj Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka njoftuar se ka marrë pjesë  në përmbyllje të punimeve të seancës së 11-të plenare të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, ku prezent ishin edhe delegacione të tjera nga Evropa Juglindore. Konjufca ka thënë se takime të tilla janë rikonfirmim i angazhimit të përbashkët […]

Konjufca në takimin e SEECP: Më 24 shtator ’23 u krye sulm i egër terr*orist ndaj Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka njoftuar se ka marrë pjesë  në përmbyllje të punimeve të seancës së 11-të plenare të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, ku prezent ishin edhe delegacione të tjera nga Evropa Juglindore.

Konjufca ka thënë se takime të tilla janë rikonfirmim i angazhimit të përbashkët për të nxitur bashkëpunimin rajonal, për të promovuar zhvillimin ekonomik, për të rritur sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin në Evropën Juglindore.

Konjufca ka thënë se ka theksuar se vizioni për bashkëpunim dhe për arritje të aspiratave të përbashkëta përmban ndër të tjera në vetvete edhe njohjen e Republikës së Kosovës nga të gjitha vendet e këtij rajoni, në mënyrë që t’i hapet rruga gjithëpërfshirjes dhe bashkëpunimit të plotë e të mirëfilltë. Kryeparlamentari thotë se ka përmendur edhe nevojën për të mbështetur aspiratën e Kosovës për anëtarësim në struktura ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Këshillin e Evropës, në frymën e përkushtimit për një rajon sa më të bashkuar rreth vlerave dhe qëllimeve të përbashkëta.

“Aty theksova se vizioni për bashkëpunim dhe për arritje të aspiratave të përbashkëta përmban ndër të tjera në vetvete edhe njohjen e Republikës së Kosovës nga të gjitha vendet e këtij rajoni, në mënyrë që t’i hapet rruga gjithëpërfshirjes dhe bashkëpunimit të plotë e të mirëfilltë. Njëkohësisht, vura në dukje nevojën për të mbështetur aspiratën e Kosovës për anëtarësim në struktura ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Këshillin e Evropës, në frymën e përkushtimit për një rajon sa më të bashkuar rreth vlerave dhe qëllimeve të përbashkëta. Një gjë e tillë u arrit më herët me liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit tonë, gjë për të cilën jemi mirënjohës dhe kjo duhet të përsëritet, në frymën e të ardhmes së përbashkët”, ka thënë Konjufca.

Kryetari i Kuvendit ka përmendur po ashtu edhe sulmin terrorist të vitit të kaluar në Banjskë, duke theksuar se përgjegjësit për këtë sulm që po mbrohen nga Serbia, duhet të sillen para drejtësisë.

“Në fjalën time, nënvizova edhe se ngjarja e 24 shtatorit 2023, kur kundër Republikës së Kosovës u krye një sulm i egër terrorist, me pasojë vrasjen e Rreshterit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e dy policëve të tjerë, ishte goditje e rëndë jo vetëm për bashkëpunimin, por edhe për sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Prandaj, ai akt duhet dënuar nga të gjithë pa përjashtim, ndërsa përgjegjësit të cilët strehoen dhe mbrohen nga Serbia duhet të vihen përballë drejtësisë. Pa këto qëndrime dhe veprime, do të jetë e vështirë të arrihen synimet e SEECP.

Nga ana tjetër, potencova përparimin e jashtëzakonshëm që ka bërë Republika e Kosovës në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, në qeverisjen demokratike dhe të drejtat e njeriut, në luftën kundër korrupsionit, në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies. Ky progres, i njohur edhe nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, është një dëshmi e përkushtimit tonë për të ndërtuar një shoqëri të gjallë, demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

Në përfundim të fjalës sime, bëra thirrje që të punojmë së bashku duke riafirmuar përkushtimin ndaj parimeve të barazisë, gjithëpërfshirjes dhe bashkëpunimit rajonal, për t’u siguruar që asnjë anëtar i komunitetit tonë të mos margjinalizohet dhe të sigurohemi që Strategjia për Evropën Juglindore 2030 të përmbushë premtimin e saj për të mos lënë askënd pas dhe për të nxitur një rajon ku çdo shtet mund të lulëzojë. Në përmbyllje të punimeve të seancës së 11-të plenare të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, dolëm me një deklaratë të përbashkët finalizuese”, ka shkruar Konjufca.