Kryetari i Çairit, Visar Ganiu e ka paraqitur në polici Muharrem Hasanin për kërcënim, ky i fundit mohon

Kryetari i Komunës së Çairit në Shkup, Visar Ganiu ka denoncuar të premten në mbrëmje se është kërcënuar përmes telefonit nga një përfaqësues i Bashkimit Demokratik për Integrim. Ganiu e ka paraqitur rastin në polici, ku ka thënë se kërcënuesi ishte prezantuar si Muharrem Hasani dhe ishte shprehur se: “Ti dhe Izet Mexhiti do ta […]

Kryetari i Çairit, Visar Ganiu e ka paraqitur në polici Muharrem Hasanin për kërcënim, ky i fundit mohon

Kryetari i Komunës së Çairit në Shkup, Visar Ganiu ka denoncuar të premten në mbrëmje se është kërcënuar përmes telefonit nga një përfaqësues i Bashkimit Demokratik për Integrim. Ganiu e ka paraqitur rastin në polici, ku ka thënë se kërcënuesi ishte prezantuar si Muharrem Hasani dhe ishte shprehur se: “Ti dhe Izet Mexhiti do ta gjeni veten të paluar në rrugë” dhe se kishte vazhduar me sharje dhe ofendime të rënda, shkruan VOA.

Ganiu, i cili ndodhet në mandatin e tretë në krye të Çairit, një komunë e banuar me shumicë shqiptare brenda kryeqytetit, i ka thënë televizionit Alsat se kërcënimet vijnë pas prononcimit në media se “zgjedhjet e kryetarëve të degëve të Bashkimi Demokratik për Integrim bien ndesh me statutin e partisë”.

Visar Ganiu është pjesë e fraksionit të BDI-së të njohur në publik si “Grupi i Zjarrit” ku bëjnë pjesë ish-nënkryetari i partisë dhe ligjvënësi Izet Mexhiti, dy deputetë të tjerë, kryetari aktual i komunës së Sarajit në Shkup, Blerim Bexheti dhe ish zyrtarë të lartë të BDI-së.

Aktualisht, partia më e madhe në pushtet, BDI ndodhet në një fushatë riorganizimi të brendshëm, përkatësisht të zgjedhjes së kryetarëve të degëve dhe nëndegëve të saj.

Muharrem Hasani është kandidat për kreun e degës së Butelit në Shkup. Ai po ashtu është zëvendës-drejtor i Agjencisë së Doganave të Maqedonisë së Veriut. Hasani ka përgënjeshtruar në rrjetet sociale akuzat e Ganiut duke i quajtur shpifje dhe të pavërteta.

“Shpreh keqardhje për çdo tentativë për njollosjen e proceseve demokratike zgjedhore në BDI nga të vetlarguarit e familjes, e cila i lindi, i rriti dhe i solli këtu ku janë”, shkruan Hasani.

Grupi i zjarrit: Me këtë qasje përçarëse epilogu në Kumanovë ishte kasaphane me të vrarë, të plagosur dhe të burgosur!

Ka reaguar me kumtesë dhe “Grupi i Zjarrit” duke theksuar se BDI shkel statutin e partisë.

“Duam të rikujtojmë edhe një herë, para se të jetë vonë, pikërisht me këtë qasje neglizhuese, shpërfillëse, përçarëse, dy ciklet e fundit të zgjedhjeve të brendshme partiake në degën e Kumanovës kanë epilog me bilans kasaphane me të vrarë, të plagosur dhe të burgosur! E sa i takon demokracisë dhe procesit të zgjedhjeve të brendshme, theksojmë se Komisioni Qendror Zgjedhor i BDI nuk ka kuorum të merr asnjë vendim, sepse nga 7 anëtarë, 4 nuk marrin pjesë. Aq më tepër kur sekretari organizativ Blerim Bexheti injorohet në këtë proces ku ai duhet të jetë bartës. Ritheksojmë se parimi një anëtar një votë është jostatutar, pra shkel statutin e partisë me dy këmbë. E për ironi të gjithë kësaj situate ku po trumpetohet çdo ditë për demokraci e vlera demokratike, në realitet po shohim që veçmë kryetarët e degëve me dekret po caktohen apriori nga kryetari Ali Ahmeti.” thuhet në kumtesë.

Përçarja në BDI filloi që vitin e kaluar. Më 24 shtator 2022 në një letër të shpalosur publikisht nga disa anëtarë të BDI-së, kanë numëruar disa ankesa e këshilla për drejtimin e partisë në vitet e fundit, ndaj ministrave të BDI-së në qeveri, sidomos ndaj Zëvendës-kryeministrit Artan Grubi. Ata theksuan që gjithë pushteti politik është përqendruar tek individi, duke anashkaluar strukturat partiake.

Më 1 prill 2022, pas përfundimit të mbledhjes “Grupi i zjarrit” informoi se do të funksionojnë si fraksion brenda BDI-së. Ata më 6 prill shpalosën fraksionin e tyre brenda partiak, duke theksuar disa nga arsyet pse nuk janë të kënaqur me udhëheqësinë e BDI-së.

Më 20 maj, BDI njoftoi se Kryesia Qendrore e partisë ka konstatuar “vetëlargimin” nga kryesia qendrore e partisë të pesë anëtarëve të kryesisë që vinin nga “Grupit të Zjarrit” sepse sipas statutit, nuk mund të ketë fraksion brenda partisë. Ndërkaq, nga “Grupi i Zjarrit” mohuan të jenë vetë përjashtuar.

Ndryshe, Bashkimi Demokratik për Integrim u themelua menjëherë pas konfliktit të 2001 në Maqedoninë e Veriut.

LEXO: BDI-ja e përçarë për ditëlindjen e 21: “Ahmetistët” në Shkup, “Grupi i Zjarrit” në Tetovë
LEXO: RMV, fraksioni brenda BDI-së: Nuk jemi vetëpërjashtuar, por kemi lëshuar mbledhjen në shenjë proteste si pasojë e mospajtueshmërisë LEXO: RMV, BDI me keqardhje konstaton “vetlargimin” e 5 anëtarëve të Kryesisë LEXO: “Grupi i zjarrit” vendos të funksionojë si fraksion brenda partisë, Ahmeti kundërpërgjigjet – fraksione nuk lejohen LEXO: Deputetë, kryetarë e anëtarë të BDI-së e qortojnë Ali Ahmetin për sjelljen e Grubit përmes një letre publike