Kurti priti profesorët Susan Morgan dhe Andy Hamilton nga Ulster University

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti profesorët Susan Morgan dhe Andy Hamilton nga Ulster University bashkë me Adrian Davies dhe Dorina Gllogjani nga organizata joqeveritare rinore YMCA në Kosovë. Sipas njoftimit nga Qeveria, Kurti u uroi mirëseardhje në Kosovë mysafirëve nga Irlanda Veriore, teksa solli në kujtesë takimin që ka pasur me prof. Morgan gjatë […]

Kurti priti profesorët Susan Morgan dhe Andy Hamilton nga Ulster University

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti profesorët Susan Morgan dhe Andy Hamilton nga Ulster University bashkë me Adrian Davies dhe Dorina Gllogjani nga organizata joqeveritare rinore YMCA në Kosovë.

Sipas njoftimit nga Qeveria, Kurti u uroi mirëseardhje në Kosovë mysafirëve nga Irlanda Veriore, teksa solli në kujtesë takimin që ka pasur me prof. Morgan gjatë vizitës së tij në Belfast në muajin shkurt. Gjatë asaj vizite, kryeministri kishte pasur mundësi që, ndër të tjera, të njihet më shumë edhe me nismat e Universitetit të Ulsterit për angazhimin e grupeve të margjinalizuara.

“Në lidhje me këtë, kryeministri i njoftoi për veprimet dhe nismat e qeverisë për avancimin e arsimimit në mesin e komuniteteve joshumicë, duke veçuar këtu bursat për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, dhe financimin e kolegjit IBCM në Mitrovicë si kolegji i parë publik në Kosovë me 27% të studentëve nga komunitetet joshumicë”, thuhet në njoftim.

Bashkë me kryeministrin ishte edhe Dr. Edona Maloku nga Queen’s University Belfast që udhëheq me nismën për Arsim të Përbashkët në Kosovë sipas modelit të Irlandës Veriore.

Një ekip ekspertësh nga Irlanda Veriore së fundmi ishin në Kosovë, përkatësisht në Komunën e Kamenicës ku realizuan një seminar pune me komunitetet shkollore të kësaj komune për të hulumtuar potencialin e bashkëpunimit të sistemeve të ndara arsimore.