Kurti: Zona e Llapit i dha Kosovës grupin e Zahir Pajazitit, frymëzim i luftës çlirimtare
Sot është mbajtur Akademia Përkujtimore “Trinomi i Janarit”, në Teatrin “Avdush Hasani”. Në kete akademi u theksua rëndësia dhe sakrifica e veprimtarisë së Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhes dhe Hakif Zejnullaut, raporton Ekonomia Online. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ne fjalen e tij tha se kjo ditë e rezervuar për Zahir Pajazitin dhe luftëtarë


Sot është mbajtur Akademia Përkujtimore “Trinomi i Janarit”, në Teatrin “Avdush Hasani”. Në kete akademi u theksua rëndësia dhe sakrifica e veprimtarisë së Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhes dhe Hakif Zejnullaut, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ne fjalen e tij tha se kjo ditë e rezervuar për Zahir Pajazitin dhe luftëtarë e tjerë.
Kurti theksoi se zona e Llapit i dha Kosovës grupin e Zahir Pajazitit.
“Që prej 29 vitesh, dita e fundit e janarit përherë është rezervuar për ta kujtuar Zahir Pajazitin me shokë, një ndër personalitetet më të shquara dhe më të veçanta në luftën për çlirimin e Kosovës. Në respekt të kësaj tradite tashmë të institucionalizuar, me konsideratat më të larta për dëshmorët, si Kryeministër i Republikës së Kosovës, sot më 30 janar 2026, jam i nderuar të jem këtu në Llap mes familjeve të dëshmorëve dhe ju bashkëluftëtarëve të tyre për homazhe dhe këtë akademi përkujtimore. Këtë vit, Zahirin me shokë po e kujtojmë me këtë akademi përkujtimore këtu në Podujevë, e vitin tjetër, që shënon përvjetorin jubilar, 30-vjetorin, do t’i nderojmë e lartësojmë nga Prishtina nën patronazhin e Kryeministrisë së Republikës së Kosovës. Sot janë bërë 29 vite nga rënia e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, më 31 janar 1997. Por, çfarë dhe kë kujtojmë në të vërtetë në këtë rast? Kush ishin këta njerëz dhe cila është koha e tyre? Qysh prej krijimit të shtetit shqiptar në vitin 1912 dhe gjatë tërë shekullit XX, sfida dhe synimi kryesor për shqiptarët ishte çlirimi nga Jugosllavia e dominuar nga Serbia dhe bashkimi politik me Shqipërinë. Në këtë periudhë të gjatë, rreth tetë dekadëshe, të gjithë ata që janë angazhuar për këtë qëllim sipëror kombëtar e politik, kanë pasur dy rrugë të ndryshme, ndonëse përplotësuese të njëra-tjetrës: Rrugën e angazhimit politik, qoftë ai brenda apo jashtë institucioneve të sistemit dhe rrugën e kryengritjes së armatosur e të luftës çlirimtare”, tha ai.
Kurti shtoi se djemtë dhe vajzat e Llapit kanë lënë mbrapa një histori të jashtëzakonshme të përpjekjeve dhe të flijimit të tyre për lirinë e Kosovës.
“Në të dyja këto rrugë, historia e ne shqiptarëve ka mbajtur shënim për ngjarje dhe personalitete që jo vetëm me veprën, por edhe me jetën e tyre, i kanë shënjuar të gjitha udhëtimet nëpër to. Njerëz që me angazhimin e tyre total, me dedikimin e plotë të vetes së tyre në kuptimin politik dhe njerëzor, janë përkushtuar për lirinë e atdheut tonë të përbashkët, si vendi ku secili njeri mëson ta dojë botën. Në harkun e dekadës kur kulmoi përpjekja e shqiptarëve për çlirimin e Kosovës, në dhjetë vitet e fundit të shekullit XX, individë dhe grupe shokësh të organizuar politikisht dhe ushtarakisht rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e përmbyllën kapitullin aq të vështirë dhe të lavdishëm të luftës për liri.
Zona e Llapit, e cila kishte qenë aq e pjellshme për organizatat ilegale, nga Çeta e Llapit e tutje, i dha Kosovës një prej grupeve më mirë të organizuara të UÇK-së: Grupin e Zahir Pajazitit me shokë, që në vitet e luftës u shumëfishua në Zonën Operative të Llapit. Nga oda e Sabit Zejnullahut, ku zhvilloheshin takimet e këtij grupi, deri tek kjo akademi përkujtimore sot në teatrin e qytetit në Podujevë, djemtë dhe vajzat e Llapit kanë lënë mbrapa një histori vërtet të jashtëzakonshme të përpjekjeve dhe të flijimit të tyre për lirinë e Kosovës. E nesër do ta kujtojmë edhe Ylfete Humollin në përvjetorin e 36-të të vrasjes së saj“, tha Kurti


