“Lidhnin testikujt”, andrologu Spahiu: Gjinia e foshnjës përcaktohet nga burri, jo nga metodat popullore

Andrologu Spahiu shpjegoi se, në rastet kur shtatzënia ndodh në mënyrë natyrale, përcaktimi i gjinisë varet nga spermatozoidi i mashkullit.
“Në mënyrë natyrale, nëse ndodh shtatzënia, është çështje që e përcakton vetëm mashkulli. Mashkulli prodhon dy lloje të spermatozoideve, që e bartin kromozomin X dhe Y. Y përcakton mashkullin, ndërsa X femrën. Ka mite dhe teori rreth mënyrave se si mund të arrihet te një fryt mashkull apo femër, por mjekësia nuk i ka verifikuar”, tha Spahiu.
Gjatë diskutimit, gazetarja Paulina Nushi Jahjaga përmendi edhe disa metoda të vjetra që janë përdorur ndër vite për të ndikuar në gjininë e fëmijës.
Spahiu tha se disa nga këto besime datojnë që nga Greqia Antike, ku ekzistonte ideja se njëri prej testikujve lidhej me lindjen e djalit.
Ndërkohë, gjinekologia Trina Nushi-Jahjaga tregoi se edhe ajo kishte provuar një nga metodat popullore, por pa rezultat.
“Kam testuar me kalendarin kinez shtatzëninë e dytë, por e kundërta më doli”, tha ajo.
Ajo theksoi se në shumë raste kërkesa për një gjini të caktuar të fëmijës vjen nga presioni shoqëror, sidomos ndaj grave.
“Femra është ajo që kërkon një gjini mashkullore kur çiftet lajmërohen në spital. Mashkulli ka qenë më neutral, por shtytja ka qenë nga ana e femrës, ndoshta nga presioni apo kompleksi. ‘I paske katër çika? Qysh po do me lanë burrin pa trashëgues?’”, u shpreh Nushi-Jahjaga.
Ajo shtoi se në Kosovë është e ndaluar përcaktimi i gjinisë së fëmijës nga çiftet. /Klankosova.tv
Burimi i lajmit: klankosova.tv
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



