Lorik Cana shoqëron sportistët e Shqipërisë dhe të Kosovës në vizitë fshatit arbëresh

Lorik Cana shoqëron sportistët e Shqipërisë dhe të Kosovës në vizitë fshatit arbëresh

Ikona e futbollit shqiptar, Lorik Cana, i njohur edhe për aktivitetet e tij në promovimin e kulturës shqiptare, ka ndarë për publikun në një postim të tij në fb një përjetim nga takimi me pjesëmarrësit e Shqipërisë dhe të Kosovës në Lojërat Mesdhetare në Taranto.

“Gjatë qëndrimit në javën e parë të Lojërave Mesdhetare Taranto 2026 | Giochi del Mediterraneo, pata nderin të shoqëroja delegacionet zyrtare të Komitetit Olimpik Shqiptar dhe atij të Kosovës në një vizitë institucionale dhe vëllazrore në katundin arbëresh San Marzano di San Giuseppe”, shkruan Cana.

“Në Piazza Casalini dhe gjatë takimit zyrtar në Palazzo della Cultura, u pritëm nga autoritetet lokale dhe banorët e komunitetit, të cilët na treguan një mikpritje të shkëlqyer dhe të ngrohtë. Kjo vizitë u zhvillua gjithashtu në kuadër të projektit “UDHA – Një gjak, një gjuhë, një besë” të organizuar nga “Lorik Cana 5 Foundation”, i cili synon forcimin e lidhjeve kulturore me komunitetet arbëreshe në Itali.

Ishte një mundësi e mirë për të bashkuar diplomacinë sportive me historinë tonë. Përfaqësuesit e Komiteti Olimpik Kombetar Shqiptar (KOKSH)dhe Kosovo Olympic Committee patën rastin të falënderonin qytetin e San Marzanos për mbështetjen e vazhdueshme dhe për ruajtjen e shkëlqyer të gjuhës dhe traditave përtej shekujve.

Ky takim mori një vlerë edhe më të veçantë pasi e ardhmja e kësaj ngjarjeje të madhe na përket neve; ishte krenari të diskutonim për rrugëtimin tonë të përbashkët sportiv, duke pasur parasysh që edicioni i ardhshëm i Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 do të organizohet me shumë meritë në Prishtinë.

Një falënderim i veçantë shkon për Kryetarin e Bashkisë Francesco Leo dhe Lorenzo Lonoce për mikpritjen zyrtare, për shoqatat e shumta që mbajnë gjallë kulturën tonë çdo ditë, si dhe për të gjithë qytetarët që na rrethuan me respekt dhe na bënë të ndihemi si në shtëpi”, përfundon postimin e tij, Lorik Cana.

The post Lorik Cana shoqëron sportistët e Shqipërisë dhe të Kosovës në vizitë fshatit arbëresh appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.