LVV: Sheshi, vend i barazisë së qytetarëve e jo si hapësirë afariste

Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Prishtinë ka shprehur indinjatën e saj të thellë, për siç ka thënë, qasjen e vazhdueshme të Komunës së Prishtinës për uzurpimin dhe privatizimin e hapësirave publike të kryeqytetit. Ky shqetësim i partisë opozitare në kryeqytet, vjen si përgjigje ndaj përdorimit të sheshit të qytetit si një hapësirë afariste, e cila, […]

LVV: Sheshi, vend i barazisë së qytetarëve e jo si hapësirë afariste

Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Prishtinë ka shprehur indinjatën e saj të thellë, për siç ka thënë, qasjen e vazhdueshme të Komunës së Prishtinës për uzurpimin dhe privatizimin e hapësirave publike të kryeqytetit.

Ky shqetësim i partisë opozitare në kryeqytet, vjen si përgjigje ndaj përdorimit të sheshit të qytetit si një hapësirë afariste, e cila, sipas LVV-së, është e papranueshme dhe e padrejtë ndaj qytetarëve.

“Është e papranueshme që sheshi i qytetit të shërbej si hapësirë afariste për individ e grupe të caktuara, të afërta me pushtetin, dhe si zonë e ndaluar për qytetarë të Prishtinës. Pse duhet një pjesë e sheshit të rrethohet si arenë gladiatorësh? Nëse hyrja qenka pa pagesë, pse duhen rrethojat? Pse duhet paguar hyrje ose rezervim të tavolinës në mes të hapësirës publike?”, theksohet në komunikatën e Qendrës së LVV-së në Prishtinë.

LVV tutje argumenton se askush nuk ka të drejtë të mbyllë sheshin ose një pjesë të tij për një kategori të caktuar të qytetarëve. Ky subjekt politik thekson se veprimet e tilla janë të papranueshme dhe kërkojnë reagim, duke theksuar se sheshi duhet të jetë vendi i barazisë qytetare.

“Gjithashtu duhet potencuar se janë të pavërteta dhe të pasakta deklaratat e kryetarit Rama se ‘çdo gjë ka qenë pa pagesë. Mbi këtë temë dhe për çështje të pagesave të kërkuara në atë zonë, kanë shkruar paraprakisht edhe gazetarë të mediumeve të ndryshme dhe kanë reaguar qytetarë të shumtë. Pse qeverisja komunale nuk e organizon vet një ngjarje të tillë ku qasja dhe mundësitë do të ishin të barabarta dhe falas për të gjithë qytetarët? Komuna e Prishtinës ka Drejtori të Kulturës sikurse ka edhe Drejtori për Sport dhe mbi 50 milionë euro suficit buxhetor apo para të pashpenzuara nga viti paraprak”, theksohet më tej në komunikatën e LVV-së.

Reagimi i LVV-së vjen një ditë pasi në sheshin e kryeqytetit u krijua një rrëmujë gjatë ndeshjes Shqipëri-Spanjë, e ku asamblisti i këtij subjekti politik, Arianit Beqiri është arrestuar nga policia pasi sipas zyrtarëve të LVV-së, kishte refuzuar të bëjë pagesën për të hyrë në hapësirën publike ku po shfaqej kjo ndeshje.