VLEN: BDI nuk mbron më popullin, por mbron kriminelët që i pëlqejnë Ali Ahmetit

VLEN: BDI nuk mbron më popullin, por mbron kriminelët që i pëlqejnë Ali Ahmetit

VLEN ka reaguar me anë të një kumtese lidhur me akuzat e fundit të BDI drejtuar ekzekutivit shqiptar VLEN në qeveri, transmeton InfoShqip.

Reagimi i plotë

Reçica e Vogël është në gjendje paniku klinik, sepse Bashkimi Demokratik për Integrim nuk mbron më popullin, por ekskluzivisht mbron kriminelët që i pëlqejnë Ali Ahmetit.

Derisa institucionet më në fund po e zbërthejnë nyjën kriminale shumëvjeçare, kjo parti po i kthehet konfigurimit të saj të vetëm të fabrikuar, përhapjes së lajmeve të rreme dhe shtirjes si viktimë politike. Por qytetarët nuk i blejnë më skenarët e tyre të lira; koha kur krimi fshihej pas flamurit kombëtar ka përfunduar përgjithmonë.

Ali Ahmeti dhe “garda e tij e parë” janë të fundit që mund të flasin për nder dhe interesa kombëtare. Opinioni e di mirë, dhe arkivat e vërtetojnë: BDI ishin dhe mbetën shërbëtorët më besnikë të Sasho Mijallkovit, me të cilin në rrethe të ngushta i kanë marrë vesh punët e dyshimta që i pasuruan familjet e tyre dhe i varfëruan shqiptarët.

Është qesharake dhe tragjike kur për moral flet Bujar Osmani, i vetmi shqiptar për të cilin Prokuroria Speciale Publike (PSP) me prova ka pretenduar se është i përfshirë në krim të rëndë. Osmani nuk është kurrfarë politikani evropian, por një profiter i zakonshëm politik, i cili në vend që të mbajë ligjërata në media, duhej prej kohësh të jepte llogari para organeve hetuese për shkeljet e tij.
Në të njëjtën vijë të turpit qëndron edhe Blerim Bexheti. Njeriu që sot përpiqet dëshpërimisht të fshihet pas sloganeve ironike, në fakt është simbol i drejtësisë së kapur.

Sulmet e tyre të orkestruara kundër Izet Mexhitit janë një projeksion klasik i frikës së tyre. Ndërsa BDI shpik “dosje” fiktive, realiteti i demanton me fakte: pikërisht kuadrot e tyre këto ditë po përballen me ekspozim publik dhe kallëzime penale për abuzime që peshojnë mbi 700.000 euro.

BDI sot funksionon si një zyrë avokatie e nëntokës, ku për Ahmetin shqiptari i zakonshëm është vetëm një numër votimi, ndërsa milionat e funksionarëve të tij janë mburoja për mbrojtjen e kapitalit të tij personal.

VLEN nuk do të lejojë që korrupsioni të maskohet me parulla patriotike. Koha e pandëshkueshmërisë për “të paprekshmit” e Reçicës ka përfunduar. Çdo denar i vjedhur nga xhepi i qytetarëve dhe nga xhepi i popullit shqiptar do të kthehet, ndërsa paniku i Ahmetit, Osmanit dhe Bexhetit është vetëm dëshmia më e sigurt se drejtësia më në fund ka trokitur në derën e tyre.

Ne vazhdojmë me rendin dhe ligjin, ndërsa ata i lëmë të mbyten në gënjeshtrat e tyre.

The post VLEN: BDI nuk mbron më popullin, por mbron kriminelët që i pëlqejnë Ali Ahmetit appeared first on InfoShqip.com.

Burimi i lajmit:infoshqip.com
Shënim: Ky material është marrë nga burime publike në internet dhe është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.Portali nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen origjinale të publikuar nga burimi. Nëse keni ankesa apo kërkesa për heqje materiali, ju lutem na kontaktoni në facebook/KosovaToday Faleminderit për mirëkuptimin.