Milani ka shpërthyer merkaton, por… ja çfarë thonë mediat italiane

Milani ka shpërthyer merkaton, por… ja çfarë thonë mediat italiane

Milani ka mbyllur një merkato vere me shumë lëvizje, por mediat italiane nuk janë të gjitha të bindura se kuqezinjtë kanë bërë mjaftueshëm për t’u rikthyer në luftën për majat e Serie A.

Merkatoja e Milanit nisi me shumë bujë, me klubin që investoi rreth 100 milionë euro për të siguruar shërbimet e Gonçalo Ramos nga PSG dhe Mario Gila nga Lazio.

Më pas, kuqezinjtë realizuan edhe transferimin e Diego Moreira, për një shumë që raportohet rreth 45-50 milionë euro, ndërsa në total drejtuesit e Milanit kanë ndërhyrë ndjeshëm në skuadër.

Megjithatë, problemi kryesor duket se ka qenë largimi i lojtarëve. Disa prej tyre u larguan vetëm në ditët e fundit të merkatos, ndërsa një pjesë e madhe e transferimeve u realizuan në formën e huazimeve, përcjell ORAinfo.

Notat e mediave italiane

MilanNews ka publikuar vlerësimet e disa prej mediave kryesore italiane për merkaton e kuqezinjve.

Corriere dello Sport – 6.5/10

“Sulmi është revolucionarizuar. U larguan Gimenez, Leao dhe Nkunku, ndërsa erdhën Gonçalo Ramos, Hutchinson dhe Diego Moreira. Idetë janë aty, tani duhet parë se si do të përshtaten lojtarët e rinj. Gila në mbrojtje.”

La Repubblica – 7.5/10

La Repubblica e ka vlerësuar më pozitivisht punën e Milanit, duke veçuar sidomos Gonçalo Ramos.

“Gonçalo Ramos, që kushtoi 80 milionë euro, është blerja e madhe e kuqezinjve. Ai tashmë ka shënuar në kampionat dhe premton gola dhe prezencë në zonën e rreptësisë.”

Për Gila, gazeta italiane thekson se mbrojtësi i ardhur nga Lazio për rreth 30 milionë euro ka sjellë ndryshim të menjëhershëm në repartin defensiv.

Tuttosport – 7/10

Edhe Tuttosport i ka dhënë një notë pozitive Milanit. Transferimet e Ramos, Gila dhe Moreiras konsiderohen si përforcime që mund të ndikojnë menjëherë në formacionin bazë.

Calciomercato.com – 5.5/10

Vlerësimi më kritik ka ardhur nga Calciomercato.com.

“Një merkato me ritëm të çmendur. Në fillim pa siguri, më pas me shumë siguri, ndoshta edhe tepër. Fusha do të tregojë nëse Cardinale dhe Amorim kanë të drejtë. Ndjesia është se nuk është bërë mjaftueshëm për të ngushtuar diferencën me ekipet që janë përpara, mbi të gjitha Interin.”

Sipas këtij mediumi, Gila dhe Ramos kanë zgjidhur dy probleme kronike të skuadrës, por jo të gjitha.

Kritikat lidhen me mungesën e një qendërmbrojtësi tjetër të besueshëm, një mbrojtësi të majtë titullar dhe një alternative të sigurt për Ramosin në sulm.

Gjithashtu, Calciomercato.com e konsideron të diskutueshëm edhe largimin e Rafael Leaos, duke theksuar se Milanit do t’i jetë e vështirë ta zëvendësojë yllin portugez.

Fanpage – 7.5/10

Fanpage ka dhënë një tjetër vlerësim pozitiv, duke argumentuar se Milani ka bërë pak blerje, por ka rritur nivelin e skuadrës.

“Vendosja e Gila në mbrojtje, Moreiras në mesfushë dhe Gonçalo Ramos në sulm e forcon një ekip që tashmë kishte një bazë solide.”

Sipas Fanpage, largimi i disa lojtarëve që bllokonin hapësirat për të rinjtë, si Cissé, mund të jetë gjithashtu pozitiv për projektin e ri.

Milani, mes optimizmit dhe pikëpyetjeve

Në përgjithësi, mediat italiane e shohin merkaton e Milanit si një ndërhyrje të rëndësishme në skuadër, por jo të gjithë besojnë se kuqezinjtë kanë zgjidhur çdo problem.

Gonçalo Ramos dhe Mario Gila konsiderohen dy përforcime të rëndësishme, ndërsa Diego Moreira mbetet një nga transferimet që do të kërkojë më shumë kohë për t’u gjykuar.

Në anën tjetër, largimi i Rafael Leaos, mungesa e një alternative të qartë për Ramosin dhe thellësia e skuadrës janë disa nga pikëpyetjet kryesore.

Tashmë, përgjigjen përfundimtare do ta japë fusha. Milani ka investuar shumë dhe ka ndryshuar ndjeshëm fytyrën e skuadrës. Pritshmëritë për sezonin e ri janë të larta, ndërsa presioni mbi trajnerin dhe drejtuesit do të jetë po aq i madh. /ORAinfo/


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.