Muja flet pasi u denoncua për kanosje: Ai është kojshia im, po e cenon privatësinë e familjes

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, është denoncuar të mërkurën për kanosje nga një qytetar në Prishtinë. Për rastin tashmë është iniciuar hetim me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndërsa vet deputeti ende nuk është intervistuar. Muja ka folur për Sinjalin lidhur me rastin dhe e ka akuzuar personin në fjalë për cenim të privatësisë […]

Muja flet pasi u denoncua për kanosje: Ai është kojshia im, po e cenon privatësinë e familjes


Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, është denoncuar të mërkurën për kanosje nga një qytetar në Prishtinë. Për rastin tashmë është iniciuar hetim me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndërsa vet deputeti ende nuk është intervistuar. Muja ka folur për Sinjalin lidhur me rastin dhe e ka akuzuar personin në fjalë për cenim të privatësisë dhe e ka mohuar kategorikisht ta ketë kërcënuar.

Sipas Mujës, nuk ka pasur kurrfarë kërcënimi, por bisedë, për siç thotë ai, cenimin e privatësisë nga ky person ndaj tij dhe familjes të tij.

“S’po di për çfarë kanosje. Jo jo, çfarë kanosje, s’bohet fjalë. Ky është një raportim që unë do ta bëj ndaj tij. S’kom pasë kurrfarë rasti me të. Unë do ta raportoj se nuk ka pasur kanosje aty. Ai po e cenon privatësinë tonë si familje. Kjo është ajo çfarë i thash. S’bëhet fjalë për kanosje. I njëjti po e cenon privatësinë dhe i thash se do ta raportoj në Polici. Kaq ka pasë.” – tha Muja.

Tutje, deputeti u shpreh se personi në fjalë po i përcjellë në vazhdimësi fëmijët dhe gjithë familjen, e madje edhe po i filmon – duke shtuar sërish se do ta raportojë ai të njëjtin.

“Motivet e tij janë të cilat unë dyshoj, ky është kojshi, m’i përcjellë fëmijët edhe familjen tem, incizon kah të shkojnë, më incizon mua, ka vendosë kamerë në banesën e tij… kjo është çfarë i thash, se kjo nuk i lejohet. S’merrna unë me këto punë, por po cenohet privatësia. Për motive të ulëta, ne jemi deputetë, por jo familjet tona. Kaq..”

Muja e konfirmoi se nuk ka dhënë deklaratë për rastin, por tha se do të përgjigjet nëse ftohet nga Prokuroria.

“Jo, nuk jam intervistu, as nuk kom marrë ftesë. Kurdo që do të ketë ftesë, do të përgjigjem.”

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima po pretendon se Armend Muja e ka ndalur në rrugë të mërkurën pasdite, në rrugën “Ndue Përleshi” dhe i është drejtuar me fjalë kërcënuese.

Sipas dëshmisë së tij, të dhënë para hetuesve policorë, Muja i ka thënë viktimës “A je ti… (emri dhe mbiemri që s’do t’i publikohet për momentin), o shikofc i Bradashit, do ta shohësh kush jam unë”, thonë tutje të njëjtat burime.

Pasi janë marrë informacionet e para për rastin, Prokurori i Shtetit ka vendosur që të iniciojë rast në drejtim të veprës penale “Kanosje” dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme.

Mediumi e ka kontaktuar fillimisht prokurorin kujdestar që ka urdhëruar inicimin e rastit, por i njëjti ka deklaruar se nuk gjendet në Kosovë dhe e ka ndalur telefonin, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë, akoma s’ka kthyer përgjigje.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.