Foda: Në çdo ndeshje hyjmë për fitore
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda dhe menaxheri i Kombëtares, Bajram Shala, kanë folur sot në konferencë për media para katër ndeshjeve të radhës në Ligën e Kombeve, kundër Irlandës (më 24 shtator), Austrisë (më 27 shtator), Izraelit (më 1 tetor) dhe sërish Austrisë (më 4 tetor).
Foda tha se skuadra do të përgatitet maksimalisht për sfidat që e presin, duke theksuar se synimi i tij dhe i futbollistëve është që në çdo ndeshje të kërkohet fitorja.
“Mezi i presim këto ndeshje dhe do të përgatitemi maksimalisht. Në çdo ndeshje hyjmë me dëshirën dhe synimin për të fituar”, tha Foda.
Ai u ndal edhe te mungesat në skuadër, duke përmendur lëndimet dhe tërheqjet e disa futbollistëve, por theksoi se besimi i tij mbetet i plotë te 27 lojtarët e grumbulluar, transmeton albinfo.ch.
“Na mungojnë disa futbollistë të rëndësishëm dhe me përvojë. Gjithashtu, Rexhbeçaj dhe Muslija nuk do të jenë në dispozicion për shkak të lëndimeve. Megjithatë, kemi 27 futbollistë tek të cilët kam besim të plotë dhe jam i bindur se me këtë grup mund të zhvillojmë ndeshje të mira”, u shpreh përzgjedhësi.
Foda theksoi se ditët në vijim do të jenë të rëndësishme për përcaktimin e formacionit dhe përgatitjen e skuadrës.
“Ky është futbolli: ka lëndime, ka largime, por në të njëjtën kohë krijohen edhe mundësi të reja për futbollistët e rinj. Tani është radha e tyre që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të tregojnë vlerat e tyre”, tha ai.
Një pjesë e konferencës iu kushtua edhe vendimeve të Amir Rrahmanit dhe Florent Hadërgjonajt për t’u tërhequr nga Kombëtarja. Foda bëri të ditur se me Rrahmanin ka pasur kontakt dhe se është përpjekur ta bindë që ta ndryshojë vendimin, por në fund e ka respektuar zgjedhjen e tij.
“Rrahmani më ka kontaktuar dhe kemi biseduar. Kam tentuar t’ia ndryshoj mendimin, por ai e kishte marrë vendimin e tij dhe ne duhet ta respektojmë. E falënderoj për kontributin e tij dhe i uroj gjithë të mirat në vazhdim”, deklaroi Foda. Sa i përket Hadërgjonajt, përzgjedhësi tha se për vendimin e tij ka mësuar përmes mediave.
“Hadërgjonaj nuk më ka kontaktuar personalisht dhe për vendimin e tij jam informuar përmes mediave. Sigurisht, edhe vendimin e tij duhet ta respektoj. Megjithatë, çdo futbollist që e ftoj në grumbullim e ka besimin tim të plotë. Çdo futbollist duhet ta kuptojë dhe ta pranojë se ftesa në Kombëtare i jep mundësinë për të qenë pjesë e ekipit, por nuk garanton aktivizimin në çdo ndeshje. Vendimet se kush luan merren gjithmonë në interes të skuadrës”, tha Foda.
Përzgjedhësi theksoi se fokusi tani është te futbollistët që janë pjesë e grumbullimit.
“Për mua është thelbësore që çdo futbollist që vesh fanellën e Kosovës të luajë me zemër dhe të japë 100 për qind për Kombëtaren”, u shpreh ai.
Shala: Kontributi i Rrahmanit nuk fshihet, por vendimi i tij i fundit nuk arsyetohet
Menaxheri i Kombëtares, Bajram Shala, foli gjithashtu për vendimin e Rrahmanit, duke e falënderuar për kontributin e dhënë gjatë dhjetë viteve me Kombëtaren e Kosovës, por duke thënë se veprimi i tij nuk arsyetohet.
“Në emër të FFK-së e falënderojmë Amir Rrahmanin për të gjithë kontributin që e ka dhënë për ekipin kombëtar si lojtar. Pavarësisht se sa i papranueshëm është veprimi i tij i fundit për ne si federatë, kjo nuk e fshin kontributin e madh që Amiri e ka dhënë si lojtar për 10 vite, duke qenë pjesë e ekipit kombëtar edhe për një periudhë shumë të gjatë si kapiten i ekipit. Mirëpo, as periudha dhe kontributi që e ka dhënë si lojtar nuk e arsyetojnë dot veprimin e tij të fundit e sidomos mënyrën se si ky veprim ka ardhur”, tha Shala.
Ai bëri të ditur se ka qenë vazhdimisht në kontakt me Rrahmanin dhe se FFK-ja kishte ofruar edhe mundësinë për ta vizituar atë në Napoli. “Kam qenë vazhdimisht në kontakt me Amirin për një kohë të gjatë. Kam provuar t’i adresoj të gjitha kritikat dhe vërejtjet eventuale që Amiri i ka pasur. Madje i kemi ofruar që të shkojmë në shtëpinë e tij në Napoli, ta vizitojmë dhe të bisedojmë për këtë çështje. Amiri nuk ka qenë i gatshëm”, tha Shala.
The post Foda: Në çdo ndeshje hyjmë për fitore appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.