Ndikimi i Kinës po rritet në RMV, shfrytëzohen mekanizma të ndryshme propagandistike

Pavarësisht se Kina është larg Maqedonisë së Veriut ajo është e pranishme në vend, ndikimi i saj po ndodh, mbase edhe në heshtje përmes mekanizmave të ndryshme ekonomike, diplomatike, kulturore, mediatike dhe propagandave të ndryshme. Kështu kanë theksuar ekspertët në Tetovë në konferencën “Ndikimi i Republikës Popullore të Kinës në Maqedoninë e Veriut”, shkruan Portalb.mk. […]

Ndikimi i Kinës po rritet në RMV, shfrytëzohen mekanizma të ndryshme propagandistike

Pavarësisht se Kina është larg Maqedonisë së Veriut ajo është e pranishme në vend, ndikimi i saj po ndodh, mbase edhe në heshtje përmes mekanizmave të ndryshme ekonomike, diplomatike, kulturore, mediatike dhe propagandave të ndryshme. Kështu kanë theksuar ekspertët në Tetovë në konferencën “Ndikimi i Republikës Popullore të Kinës në Maqedoninë e Veriut”, shkruan Portalb.mk.

Pranvera Kasami – drejtoreshë e Institutit për Lidership dhe Politika Publike duke u fokusuar në gjetjet e hulumtimit të opinionit publik në rajonin e Pollogut mbi ndikimin e Kinës në RMV, tha se është befasues se qytetarët janë të relaksuar kur flitet për Kinën.

“Befasues është që sado që ne kemi pritur dhe kemi menduar që orientimi i rajonit të Pollogut është gati se qind përqind pro vlerave perëndimore, me këtë hulumtim nuk kontestohet kjo gjë, por shikojmë që opinioni i gjerë është shumë i relaksuar, komod edhe ndaj fuqive tjera siç janë ata lindore në veçanti me Kinën…Kjo mund të jetë për shkak të ndikimit ekonomik të Kinës dhe nevojës së qytetarëve të rajonit tonë për të shikuar zhvillim më të hovshëm ekonomik”, tha Kasami.

Donika Kamberi – Drejtoreshë e Qendrës së Paqes në Universitetin e Tetovës prezantoi gjetjet e hulumtimit të kryer mbi influencën e Kinës në rajonin e Pollogut, theksoi se edhe pse kina duket se është larg gjeografikisht, ajo është mjaft e pranishme edhe në Pollog. Hulumtimi ka treguar se Kina ka qenë faktori i rëndësishëm në Ballkan përmes investimeve në ekonomi.

“Marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe të Kinës nga vendet e vogla në Ballkanin Perëndimor si Maqedonia e Veriut janë kryesisht të nxitura nga interesat dhe transaksionet”, tha Kamberi.

Bardhyl Jashari – drejtor ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, duke folur për median dhe propagandën me fokus në rastin e Kinës në Maqedoninë e Veriut, theksoi se Kina në regjion është relativisht aktor i ri, nuk është se ka qenë prezentë tradicionalisht si në rastin me Rusinë, përveç se në Shqipëri në vitet e 50-ta. Mirëpo, ai theksoi se kjo gradualisht ndryshon.

“Qëllimi i propagandës kineze është e ndryshme nga propaganda ruse dhe turke, kryesisht mundohet t’i forcojë narrativet ne rajon për të krijuar përshtypje pozitive për Kinën, që të mos merren me çështje si Tajvani apo minoritete të ndryshme në Kinë dhe të tjera, mirëpo të merremi me kulturën, me ekonominë, pra kështu kina mundohet të ndikojë në rajon”, tha Jashari.

Ai mes tjerash theksoi se ndikimi kinez dhe propaganda kineze ka bërë që sistemi kinez të bëhet pak më joshës për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Bardhyl Jashari në konferencën “Ndikimi i Kinës në Maqedoninë e Veriut”. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ai tha se Kina përdor forma të buta të fuqisë (soft power) të ndikimit si: stimulim, përkrahje, manipulimi mediatik, përdorimi i mediave shpesh joprofesioniste, dytësore dhe mediave sociale, mesazhe të koordinuara dhe strategjike, dezinformata dhe përdorimi i llogarive joautentike nëpër rrjetet sociale.

“Kina është e pranishme në media, por jo shumë në mediat në gjuhën shqipe më tepër në ato në gjuhën maqedonase. Ai tha se dhjetëra artikuj pozitiv në mediat e shkruara, kolumna dhe intervista të ambasadorit kinez në RMV”, tha Jashari.

Qëllimi kryesor i gjithë këtyre aktivitete siç tha Jashari është për të krijuar imazh pozitiv për Kinën. Ai theksoi se narracioni kryesor është se Kina është parter i volitshëm për Maqedoninë e Veriut dhe se sistemi kinez është më i mirë.

Ana Kristinovska – kryetare e ESTIMA theksoi se aktivitete e tilla ku debati të shtrihet jashtë Shkupit janë të rralla.

“Njerëzit nuk janë mjaftueshëm të informuar, nuk kanë informata kredibile dhe të mjaftueshme që të mund të kenë qëndrime në lidhje me Kinën”, tha Krisinovska.

Duke folur për ndikimin ekonomik dhe lidhjet e RMV-së me Kinën në fushën e infrastrukturës, tregtisë, kredive apo investimeve, ajo tha se përveç kësaj, Kina mundohet t’i promovojë edhe qëllimet e saj strategjike.

Konferenca u realizua në kuadër të projektit “Vlerat Perëndimore kundrejt Prezencës së Republikës Popullore të Kinës në Maqedoninë e Veriut” mbështetur nga Ambasada e SHBA-ve në RMV dhe implementuar nga Instituti për Lidership dhe Politika Publike.