“Nuk ndihem fajtor”, tha Merko në gjyqin për emërimin e paligjshëm të drejtorëve në katër shkolla fillore

Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, sot sërish është ulur në bankën e të akuzuarve, kësaj radhe për emërimin e paligjshëm të drejtorëve në shkollat ​​fillore në fshatrat Podgorcë, Llabunishtë dhe Veleshtë dhe në “Vëllezërit Miladinovci” në Strugë. Janë bashkuar tri lëndë, ndërsa për shkollën në Veleshtë është duke u zhvilluar një lëndë e […]

“Nuk ndihem fajtor”, tha Merko në gjyqin për emërimin e paligjshëm të drejtorëve në katër shkolla fillore

Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, sot sërish është ulur në bankën e të akuzuarve, kësaj radhe për emërimin e paligjshëm të drejtorëve në shkollat ​​fillore në fshatrat Podgorcë, Llabunishtë dhe Veleshtë dhe në “Vëllezërit Miladinovci” në Strugë. Janë bashkuar tri lëndë, ndërsa për shkollën në Veleshtë është duke u zhvilluar një lëndë e veçantë për shkak se ka më shumë të pandehur, të cilët akuzohen për “Punë e papërgjegjëshme në shërbim”, e disa prej tyre ndiqen edhe për veprën penale “Falsifikim dokumentesh”, transmeton Portalb.mk.

“Aktualisht për shkollën në Veleshtë është duke u zhvilluar një lëndë e veçantë sepse ka më shumë të akuzuar, katër, dhe një lëndë për shkollat ​​e tjera, në një rast janë tre procedura. Përveç veprës së keqpërdorimit në shërbim, disa nga punonjësit ndiqen edhe për falsifikim, pra janë dy vepra”, tha gjyqtari Jordan Jovanov.

Merko tha në sallën e gjyqit se nuk ndihet fajtor për veprat për të cilat akuzohet nga prokuroria publike, Keqpërdorim në shërbim.

Në seancën e sotme të pandehurve dhe prokurorisë iu paraqit një listë e madhe provash. Dëshmoi Aden Ajdarsoski, i cili për tre mandate ishte drejtor i shkollës në Podgorcë, që këtë vit dha dorëheqje me kërkesë të Komisionit Kundër Korrupsionit. Nuk i plotësonte kushtet pasi nuk kishte pesë vite përvojë pune.

“Ne kemi prova dhe do t’i vërtetojmë. Ne do të vërtetojmë se krime të tilla janë kryer. Sa do të dënohet do të vendosë gjykata, këtë do ta shohim gjatë procedurës. Nëse nuk pajtohemi me aktgjykimin, do të ankimojmë në Gjykatën e Apelit”, thotë Xhemal Loga, prokuror publik nga Struga.

Inspektorati Shtetëror Arsimor ka kryer mbikëqyrje në shkollën e Podgorcës. Ai e ka njoftuar drejtorin për emërimin e tij të paligjshëm në këtë pozitë, por nuk ka nisur procedurë.

Gjykimi për shkollën në Veleshtë është shtyrë për më 5 korrik.

Më herët në Gjykatën Themelore në Strugë filloi gjykimi ndaj kryetarit të Strugës Merko për blerjen e veturës luksoze “Audi A6” me vlerë 67 mijë euro dhe tre vetura të tjera për të cilat janë shpenzuar 114 mijë euro nga buxheti i komunës.

Ndryshe, më 20 qershor 2023 Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramis Merkon.

Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Përveç Merkos, në listën e zezë të SHBA-ve ishin edhe bashkëshortja e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij.

LEXO: U shty gjykimi për shkak të listës së gjerë me prova, Merko: E kisha të vështirë t’i sillja me Audi gjithë ato, e lëre më në dorë