NATO paralajmëron reduktimin e trupave në Kosovë

NATO paralajmëron reduktimin e trupave në Kosovë

NATO ka paralajmëruar zvogëlimin e numrit të ushtarëve në Kosovë, duke argumentuar se situata e sigurisë në vend po përmirësohet vazhdimisht.

Vendimi për reduktimin e trupave të KFOR-it vjen pas një shqyrtimi të plotë dhe një vlerësimi të bazuar në inteligjencë të situatës së sigurisë.

“Ndërsa siguria në Kosovë mbetet përgjithësisht e qëndrueshme, NATO do të optimizojë praninë e KFOR-it në Kosovë dhe do të përshtatë gradualisht nivelin aktual të forcës së tij gjatë vitit të ardhshëm”, thuhet në komunikatën e Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE).

Në komunikatë rikujtohet se numri i ushtarëve të KFOR-it është përshtatur vazhdimisht në përputhje me rrethanat në terren. Megjithatë, pas dhunës në veri të Kosovës në vitin 2023, ky numër u rrit me afro 1.000 trupa shtesë.

“Me situatën e sigurisë tashmë të stabilizuar, prania e KFOR-it mund të përshtatet sipas rrethanave, duke vazhduar të garantojë në mënyrë efektive një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin afatgjatë të OKB-së, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1999, dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në komunikatë.

Gjenerali i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara, Alexus G. Grynkewich, Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën (SACEUR), ka konfirmuar përkushtimin e NATO-s ndaj sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.

“Është pikërisht ky angazhim që ka çuar në rritjen e stabilitetit, ndërsa institucionet dhe organizatat e sigurisë në Kosovë janë bërë më të afta. Kushtet aktuale ofrojnë një mundësi për të optimizuar më tej madhësinë dhe praninë e KFOR-it”, ka deklaruar ai.

Gjenerali Grynkewich përsëriti gjithashtu angazhimin e fortë të NATO-s ndaj Ballkanit Perëndimor, një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën, siguria e të cilit është e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e hapësirës euroatlantike. Ai shtoi se NATO nuk do të lejojë krijimin e asnjë vakumi sigurie në rajon./rtk

The post NATO paralajmëron reduktimin e trupave në Kosovë appeared first on InfoShqip.com.


Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.