“Paratë nga jashtë Shqipërisë”, analisti: 1 mld € blerje pasurish të patundshme

“Paratë nga jashtë Shqipërisë”, analisti: 1 mld € blerje pasurish të patundshme

Analisti Neritan Sejamini theksoi se një nga arsyet kryesore pse shqiptarët janë sot në shumicë pronarë apartamentesh është privatizimi i banesave pas vitit 1991, kur qytetarët përfituan pronësinë e shtëpive ku jetonin gjatë periudhës së komunizmit.

Sipas tij, ky proces e bëri Shqipërinë një ndër vendet me nivelin më të lartë të pronësisë së banesave, edhe pse fillimisht shumë familje bashkëjetonin në të njëjtën hapësirë.

“Një nga faktorët pse shqiptarët janë pronarë të apartamenteve është privatizimi që u bë në vitin 1991. Po të shikosh janë vendet lindore, që kanë privatizuar shtëpitë që ishin në kohën e komunizmit. Në vitin 1991 u bënë të gjithë pronarë të shtëpive ku ishin, pa diskutim që në një shtëpi jetonin shumë njerëz, pastaj kjo me zhvillimin vendit filloi të ndryshonte. Në fillim shqiptarët u bënë 100% pronarë të shtëpive.

Megjithatë, Sejamini nënvizon se sot në Shqipëri ka më shumë banesa sesa familje, duke sjellë një numër të konsiderueshëm shtëpish të pabanuara. Kjo lidhet edhe me faktin se një pjesë e mirë e pronarëve zotërojnë më shumë se një pronë. Ndërkohë, kërkesa për pasuri të paluajtshme është rritur ndjeshëm edhe nga blerës jashtë vendit, përfshirë shqiptarët e diasporës dhe nga rajoni, çka ka ndikuar në rritjen e çmimeve. Vetëm gjatë vitit 2025, sipas tij, rreth 570 milionë euro janë investuar nga jashtë në tregun imobiliar shqiptar, ndërsa rritje kanë pësuar edhe kreditë bankare për blerjen e banesave.

“Në Shqipëri kemi faktin që ka banesa që janë të pabanuara, sot që flasim situate është edhe më e thellë, në kuptimin e shtëpive, sepse ka pronarë që kanë më shumë se një shtëpi. Sot Shqipëria ndjeshëm ka më shumë banesa se sa ka banorë apo familje dhe ka shtëpi bosh, kjo është një problem. Shqipëria është vendi i dytë më i varfër në Europë, sa u takon të ardhurave, sidomos sa i takon fuqisë blerëse.

Problemi i pasurive të patundshme në Shqipëri është se nuk po blihen vetëm nga shqiptarët që jetojnë këtu, sot po blihen nga shqiptarët jashtë Shqipërie, shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë.  Në vitin 2025 nga jashtë Shqipërisë janë blerë pasuri të patundshme në Shqipëri, 570 milionë euro. Nga të cilat rreth 108 milionë euro janë vetëm nga Kosova. Çmimi është rritur edhe nga oferta që vjen nga jashtë. Vetëm në dy vite ka 1 miliardë euro pasuri të patundshme, nga jashtë Shqipërisë dhe shumica shqiptarë. E dyta shifrat e kredisë që japin bankat për blerje janë shumë më të larta nga sa kanë qenë.”