Përfundon sot afati i SHBA-së dhe BE-së për Kosovën, paralajmërohen pasoja

Sot përfundon afati i SHBA-së dhe BE-së për Kosovën, paralajmërohen pasoja. Me pasoja afatgjata do të përballet Kosova nëse nëse kryeministri Albin Kurti nuk e pranon propozimin ndërkombëtar për ta depërshkallëzuar situatën në veri, ka paralajmëruar emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të martën. Sipas tij, përgjigjja e kryeministrit nuk do të pritet më […]

Përfundon sot afati i SHBA-së dhe BE-së për Kosovën, paralajmërohen pasoja

Sot përfundon afati i SHBA-së dhe BE-së për Kosovën, paralajmërohen pasoja.

Me pasoja afatgjata do të përballet Kosova nëse nëse kryeministri Albin Kurti nuk e pranon propozimin ndërkombëtar për ta depërshkallëzuar situatën në veri, ka paralajmëruar emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të martën. Sipas tij, përgjigjja e kryeministrit nuk do të pritet më shumë se deri të mërkurën (sot) dhe në rast se ajo është negative, do të konstatohet se Kurti nuk dëshiron bashkëpunim me SHBA-në e BE-në

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kohë deri të mërkurën (sot) që të kthejë përgjigjen nëse e pranon apo jo propozimin e SHBA-së dhe BE-së për depërshkallëzimin e situatës në veri.

Ultimatumi atij i është dhënë nga emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ai i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në takimin e së hënës mbrëma.

Escobar doli me kërkesa të qarta për qeverinë e Kosovës për depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës derisa tha se fillimisht duhet të bëhet depërshkallëzimi i situatës në veri, e dyta është se duhet të mbahen zgjedhje të reja me pjesëmarrje të serbëve dhe e treta se duhet të lëvizet në drejtim të implementimit të marrëveshjes së Ohrit. Për këtë, ai i dha Kurtit afat dy ditor, që përfundon sot.

“Andaj, kjo duhet të bëhet tani dhe duhet të pajtohemi për këtë sot dhe nesër, sepse të premten, Miroslavi [Lajcak] dhe unë, pritet që të japim raporte te eprorët tanë, lidhur me atë se a ishim të suksesshëm apo jo.”, tha Escobar.

Pasoja të mëdha për raportet tashmë të lënduara të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkësinë ndërkombëtare janë paralajmëruar nëse këto kërkesa nuk përfillen.

“Shikoni, po ju them një gjë: nuk bëhet fjalë vetëm për SHBA-në, por për të gjithë komunitetin transatlantik. Andaj nuk jemi ne. Nuk janë 27 shtetet e Bashkimit Evropian dhe SHBA-ja me Britaninë. Ne i shohim gjërat në të njëjtën mënyrë, ne jemi mbështetës. Po vjen nga diku tjetër, dhe po, mund të ketë ndikim afatgjatë.”, tha Escobar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përjashtuar Kosovën nga trajnimet ushtarake “Defender Europe 23”, ndërsa Escobar në fjalën e tij përpara gazetarëve ka thënë se SHBA-të do të qëndrojnë pranë Kosovës, por jo pranë individëve me të cilët kanë probleme të bashkëpunimit, duke aluduar në kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Fjalët e para të Escobar përpara gazetarëve dje pas takimeve në Kosovë, ishin se SHBA-të do të vazhdojnë të jenë mbështetës të Kosovës, por ka nënvizuar se kanë vështirësi me kryeministrin aktual, e që kjo nuk do t’ua ndikojë qasjen e tyre ndaj popullit të Kosovës.

“Por dua ta përsëris për njerëzit, se marrëdhënia ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është marrëdhënie ndërmjet popujve të shteteve tona, dhe kjo marrëdhënie është e fortë dhe nuk do të ndryshojë. Ne do të vazhdojmë të jemi mbështetësit tuaj më të fuqishëm në komunitetin ndërkombëtar. Ne jemi të angazhuar për pavarësinë tuaj, sovranitetin tuaj, sigurinë tuaj si dhe prosperitetin tuaj ekonomik.

Kur unë diskutoj me njerëzit në anembanë vendit dhe me kosovarët të cilët vijnë në Uashington, vazhdimisht më vijnë ndër mend mundësitë e jashtëzakonshme që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona, dhe mundësitë e jashtëzakonshme që ekzistojnë në këtë vend, si vend i kulturës kreative, kulturës sipërmarrëse, si një që do të jetë një krijuese e punës në të ardhmen, brenda Evropës. Andaj, kjo është ajo në çfarë unë jam fokusuar. Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë se çfarëdo vështirësi aktuale që kemi me kryeministrin, nuk do të ndikojnë në këto mendime.”, tha Escobar.

Escobar është shprehur se qeveria amerikane është habitur kur ka parë se qeveria e Kosovës ka menduar se e kishin kundërshtare Amerikën.

“Kështu që, kur ne e pyetëm qeverinë të mendojë se si do të vazhdonte pas kësaj, dhe ne dhamë disa propozime konkrete. Ne u habitëm se si ata menduan se si ne ishim kundërshtarët.”, tha Escobar.

Për më tutje, ai është shprehur se SHBA-të nuk do t’i qëndrojnë përkrah një njeriu (aludon në kryeministrin Kurti), që sipas tij nuk ka instinkt për të bashkëpunuar dhe për t’u koordinuar.

“Askush kurrë nuk kishte vënë në mëdyshje legjitimitetin dhe autoritetin e qeverisë amerikane. Andaj, pse këto ndërtesa, pse në këto rrethana, pse pasi kërkuam edhe ne për bashkëpunim, edhe pse u qëndrojmë prapa atyre ata nuk bashkëpunuan, kjo do të thotë se ky është një mesazh për ne se si na shohin si partnerë. Dhe kjo ka pasur pasoja. Dhe kam parë që njerëzit kanë përdorur termin “sanksion”. Nuk janë sanksione. Kemi parë zgjedhjet që janë bërë përkundër partneritetit tonë dhe ky është një sinjal për ne. Ne nuk mund ta pranojmë atë si sinjal. Andaj, në një pikë kur duhet ta rikthejmë atë partneritet dhe bashkëpunim me këtë qeveri, ne do të jemi të gatshëm sepse ne gjithmonë jemi përkrah popullit të Kosovës.

Dhe kjo nuk do të thotë se duhet t’i qëndrojmë përkrah një individi, i cili nuk ndan këtë instinkt për të bashkëpunuar dhe për t’u koordinuar. Dhe më duhet të them, se jemi tërësisht të hutuar, por tërësisht të bashkuar me Bashkimin Evropian, aleatët tuaj më të afërt, se pse po ndodh kjo. Pse ka mungesë të koordinimit dhe mungesë të fleksibilitetit në vizionin politik për ta tejkaluar këtë dhe për të ecur drejt mundësive që na janë paraqitur në marrëveshjen e normalizimit.”, ka thënë Escobar.

Kur është pyetur për afatet lidhur me themelimin e Asociacionit, Escobar është shprehur se Kosova nuk guxon t’ia kthejë shpinën marrëveshjes, sepse kjo do të nënkuptonte se ia kthen shpinën Bashkimit Evropian.

“Andaj, nëse ia ktheni shpinën kësaj marrëveshjeje, ia ktheni shpinën Evropës, me të gjitha pasojat që vijnë. Të gjitha paqëndrueshmëritë në marrëdhënie, mungesa e financimit dhe mungesa e lëvizje”, tha ai ndër të tjera.

Escobar ka thënë se afatet për themelimin e Asociacionit dhe radhitjen e implementimit të marrëveshjeve i cakton Bashkimi Evropian, por në mënyrë që SHBA-të të mund t’i ndihmojnë Kosovës, qeveria duhet ta luaj rolin e vet në marrëveshje e që sipas tij nuk po e bën aktualisht.

Lidhur me mos zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe mosdëgjueshmërinë e qeverisë së Kosovës për këshillat e SHBA-të lidhur me shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, Escobar ka nënvizuar sërish se kjo do të ketë pasoja për Kurtin, por jo për Kosovën.

“Për Kosovën, do të përçojë mesazh të fuqishëm se Kosova nuk është e interesuar të koordinohet me ne. Mendoj se kjo do të ishte fatkeqe. Dhe dua të them jo Kosova, por kryeministri. Dua ta bëj shumë të qartë, se ne nuk konsiderojmë se kjo do të ketë ndikim në marrëdhënien afatgjatë, por veprimet që ndërmerren apo nuk ndërmerren mund të kenë disa pasoja që do të ndikojnë pjesë të marrëdhënies. Nuk dua që të arrihet në këtë pikë.”, tha Escobar.

Escobar ka thënë gjithashtu se Kosova e ka një draft për Asociacionin, por nuk po dëshiron ta paraqesë dhe ka kërkuar që kjo të bëhet menjëherë.

“Ata duhet që menjëherë të prezantojnë një draft të një ligji që do ta sillte atë në jetë, tani, menjëherë. Dhe ata kanë një, por thjesht nuk duan ta paraqesin.”, tha Escobar.

Emisari special i SHBA-ve e ka krahasuar Ohrin me Dejtonin, derisa ka thënë se marrëveshja është shkelur nga të dyja palët ose nga asnjëra.

“Po, e kemi bërë një gjë të tillë, në Ohër. Nuk ishte një Dejton tjetër, por mjaft e ngjashme. Ajo çfarë keni është një marrëveshje e normalizimit, sipas kushteve evropiane, që i kërkon Serbisë ta njohë integritetin tuaj territorial, sovranitetin tuaj, kontrollin tuaj administrativ të të gjithë shtetit me fuqi të së drejtës ndërkombëtare, të njihet flamuri juaj, simbolet tuaja kombëtare, diplomat, pasaportat, dokumentet tuaja qeveritare dhe të mos bllokohet Kosova në përpjekjet e saj për integrim në cilëndo organizatë ndërkombëtare. Është thënë se Serbia veç se e ka shkelur këtë. Por ana tjetër është se Kosova duhej të fillonte menjëherë diskutimet për asociacionin, gjë që nuk e ka bërë. Andaj, ose të dyja palët janë duke bërë shkelje, ose asnjëra.” ka thënë Escobar.

Escobar nuk ka përjashtuar mundësinë e masave të reja ndëshkuese të SHBA-ve për Kosovën, ose siç shprehet Escobar për individët të cilët nuk bashkëpunojnë me SHBA-të, derisa ka përmendur një ultimatum për Kurtin e Vuçiqin.