Piktori Helidon Haliti rrëfen në Opinion si humbi 23.7 kile për 2 vjet
Piktori Helidon Haliti ka rrëfyer në emisionin “Opinion” përvojën e tij personale me mbipeshën dhe se si ka arritur të bjerë në peshë jo pak, por plot 23.7 kile për një periudhë 2-vjeçare. Haliti foli me nota humori për ndryshimin fizik, duke kujtuar se herën e fundit që kishte qenë në emision, xhaketa që mbante […]
Piktori Helidon Haliti ka rrëfyer në emisionin “Opinion” përvojën e tij personale me mbipeshën dhe se si ka arritur të bjerë në peshë jo pak, por plot 23.7 kile për një periudhë 2-vjeçare.
Haliti foli me nota humori për ndryshimin fizik, duke kujtuar se herën e fundit që kishte qenë në emision, xhaketa që mbante veshur “nuk do ishte mbyllur” dot, për shkak të kileve të tepërta.
Madje, për të shprehur ndryshimin që ka pësuar ai u shpreh mes batutash: “Tani mos më detyro të zhvishem se jam i bindur që do të ikin të gjithë këtu…”
Haliti tregoi se vendimi për të ndryshuar stilin e jetesës erdhi pasi kishte arritur në 114 kilogramë, një moment që e konsideroi si pikë kthese.
“Kishte vajt atje ku nuk mbante më”, u shpreh ai duke zbuluar momentin kulminant që e shtyu të vepronte.
“Nga një udhëtim në Kinë, u detyrova të peshohem për shkak të valixheve dhe kur pashë që kisha vajt 114 dhe thashë nuk ka mundësi që kam vajtur në këtë pikë, pastaj kur të pashë ty u bëra xheloz (qesh)”, shprehet Haliti.
Sipas tij, humbja e peshës ka ardhur përmes një regjimi ushqimor të kontrolluar, fasting-ut afatgjatë dhe ndjekjes së rregullt nga specialistë të fushës.
“Po ndiqem nga specialistë për hir të së vërtetës dhe jam rigoroz.”, vazhdoi më tej Haliti, duke shpjeguar se si ka eliminuar darkën nga dieta dhe se ushqimi i tij përgatitet sipas rekomandimeve profesionale, duke shmangur ndërhyrje të tjera si përdorimi i injeksioneve për humbje peshe.
Pas dy vitesh përkushtim dhe disiplinë, ai tha se: “Kam rënë 23.7 kile për dy vjet”.
Gazetari dhe moderatori i emisionit Blendi Fevziu mes batutash iu përgjigj: “Por ti qenke për të të bërë reklamë!”

