Policia e Kosovës në raportin 24-orësh: Policia serbe hyri thellë në territorin tonë, i rrëmbeu tre policët tanë

Të mërkurën rreth orës 12:00, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës u rrëmbyen nga Policia e Serbisë, në Leposaviq. Policia e Kosovës tanimë përmes raportit të saj 24-orësh, thotë se Policia serbe ka hyrë thellë në territorin e Kosovës dhe ka kryer këtë akt. Po ashtu, tre policët kishin qenë në pikë statike duke kryer […]

Policia e Kosovës në raportin 24-orësh: Policia serbe hyri thellë në territorin tonë, i rrëmbeu tre policët tanë

Të mërkurën rreth orës 12:00, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës u rrëmbyen nga Policia e Serbisë, në Leposaviq.

Policia e Kosovës tanimë përmes raportit të saj 24-orësh, thotë se Policia serbe ka hyrë thellë në territorin e Kosovës dhe ka kryer këtë akt.

Po ashtu, tre policët kishin qenë në pikë statike duke kryer detyrën zyrtare dhe më pas, forcat serbe i kanë dërguar në drejtim të Serbisë.

“Tre Sav, Leposaviq 14.06.2023 – 11:56. Raportohet se Policia e Serbisë ka hyrë thellë në territorin e Republikës së Kosovës dhe kanë kidnapuar (rrëmbyer/kindapuar) tre zyrtarë policorë të cilët kanë qenë në pikë statike, në kryerje të detyrës zyrtare, më pas i kanë dërguar në drejtim të territorit të Serbisë”, thuhet në raportin 24-orësh.

“Njësitë relevante policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes e më pas edhe njësitë e KFOR-it kanë dalë në vendin e ngjarjes. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, rasti vazhdon të hetohet”, vijon raporti i PK-së.

Për rastin e djeshëm ka pasur reagime të shumta. Krerët e shtetit të Kosovës kanë dënuar ashpër rastin.

Bashkë me opozitarët, liderët e Kosovës kërkuan lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të PK-së.