Presidentja Osmani shpërndan Kuvendin dhe shpall zgjedhjet e reja në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe ka shpallur zgjedhjet e reja. Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Osmani theksoi se këtë situatë e sollën “njerëz të papërgjegjshëm” dhe me “qëllime të rrezikshme” për Kosovën. “Në përputhje me nenin 82 dhe 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës […]

Presidentja Osmani shpërndan Kuvendin dhe shpall zgjedhjet e reja në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe ka shpallur zgjedhjet e reja.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Osmani theksoi se këtë situatë e sollën “njerëz të papërgjegjshëm” dhe me “qëllime të rrezikshme” për Kosovën.

Në përputhje me nenin 82 dhe 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës kam vendosur ta shpërndaj Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të shpallë zgjedhjet e reja pas konsultimeve të cilat do t’i mbaj me partitë politike. Qytetarët s’kanë dashur zgjedhje, këtë situatë e ka krijuar dështimi i Kuvendit për ta kryer detyrën e tyre kushtetuese. Askush s’do duhet të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë periudhë kur vendi ka nevojë për stabilitet, por këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm dhe me qëllime të rrezikshme“, tha Osmani në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat.

Kryetarja e shtetit vuri në dukje se Kushtetuta e thotë qartë se afati për President ka përfunduar mesnatën e së enjtes.

Procedura për zgjedhjen e presidentit edhe pse mund të fillojë deri 60 ditë para afati të fundit, nuk mund të shtyhet më tej por patjetër duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Afati përfundimtar është i qartë, ka qenë mbrëmë në mesnatë dhe presidenti nuk mund të zgjidhet pas këtij momenti”, ka shtuar ajo.

Presidentja Osmani i ka bërë këto deklarata pak orë pas përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit të ri.

Procesi ka dështuar në Kuvend për shkak të mungesës së kuorumit. Kandidatë për president ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, të dy të propozuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Pas dështimit të procesit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese t’i pezullojë përkohësisht afatet kushtetuese lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.