Protesta/Koçiu:Sulm ndaj interesave të Shqipërisë, e paprecedentë do jetë përgjigjja

Protesta/Koçiu:Sulm ndaj interesave të Shqipërisë, e paprecedentë do jetë përgjigjja

Përmes një postimi në Facebook, Ministrja e Brendshme Albana Koçiu, ka akuzuar kreun e PD Sali Berisha se ka për qëllim mbajtjen peng të vendit për arsye personale.

Duke ju referuar ndër të tjera edhe sulmi i sotëm ndaj ish- vilës së diktatorit Hoxha ku qëndrojnë artistë të huaj, ishte një akt i paprecedent dhe nuk do të tolerohet. “Po aq e vendosur dhe e paprecedentë do të jetë edhe përgjigjja institucionale, në mbrojtje të rendit, sigurisë dhe të ardhmes europiane të vendit”, shkruan Koçiu.

Postimi i plotë

U vërtetua se objektivi i vërtetë i kësaj dhune është dëmtimi i drejtpërdrejtë i ekonomisë shqiptare, sabotimi i turizmit dhe përpjekja për të nxirë me çdo kusht imazhin e Shqipërisë në sytë e botës, pikërisht në momentin tonë më të mirë.

Maskat ranë përfundimisht. Sot u shfaq hapur dhe pa asnjë dritëhije objektivi i vetëm i Sali Berishës dhe familjes së tij: mbajtja peng e Shqipërisë për llogaritë e tyre personale.

Ajo që pamë në rrugët e Tiranës nuk ishte një protestë demokratike, por një shfaqje e pastër e një sjelljeje antikombëtare dhe anti-shqiptare, ku interesi personal i një individi dhe i familjes së tij vendoset mbi qetësinë dhe sigurinë e një populli të tërë.

Ky nuk është më aksion politik, por një sulm i hapur ndaj stabilitetit të vendit.

Shqipëria, qytetarët e këtij vendi dhe jeta e përditshme e këtij kombi nuk mund të mbeten peng i një tufe banditësh të armatosur me molotovë, që kërkojnë të shkaktojnë kaos dhe terror. Në çmendurinë e tyre, ata nuk kursyen as artin, duke goditur një rezidencë ku ndodheshin artistë të huaj, një akt që tregon degradimin e plotë të një lëvizjeje që nuk njeh asnjë vlerë njerëzore.

Ky sulm ndaj interesave të Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë është i paprecedentë dhe nuk do të tolerohet. Po aq e vendosur dhe e paprecedentë do të jetë edhe përgjigjja institucionale, në mbrojtje të rendit, sigurisë dhe të ardhmes europiane të vendit.