Pyetje për një milion euro: Sa thirrje telefonike, sms-porosi dhe e-maile i duhen ministrit Mexhiti të përgjigjet në pyetje gazetareske

Për të marrë çfarëdo përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë për temat e interesit publik, për të cilat qytetarët janë të interesuar, duhet domosdo të ndiqet agjenda e ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, kështu që në periudhën derisa është në ngjarje, vizitë në ndonjë spital ose lëshon në përdorim ndonjë aparat të ri, të shfrytëzohet mundësia […]

Pyetje për një milion euro: Sa thirrje telefonike, sms-porosi dhe e-maile i duhen ministrit Mexhiti të përgjigjet në pyetje gazetareske

Për të marrë çfarëdo përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë për temat e interesit publik, për të cilat qytetarët janë të interesuar, duhet domosdo të ndiqet agjenda e ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, kështu që në periudhën derisa është në ngjarje, vizitë në ndonjë spital ose lëshon në përdorim ndonjë aparat të ri, të shfrytëzohet mundësia dhe tí parashtrohet pyetje.

Kjo është në fakt, mënyra e vetme që të merret ndonjë informatë nga ky institucion, pasi që as ministri i Shëndetësisë Mexhiti, e as kushdo tjetër nga Kabineti i tij nuk përgjigjen në pyetje gazetareske të dërguara në e-mailin zyrtar për marrëdhënie me publikun. Dhe të gjitha mënyrat tjera për të pasur kontakt me këtë ministri ose shefen e kabinetit, Berna Sherifovska janë të kota. Asnjë prej tyre nuk përgjigjet ne thirrje telefonike ose nuk kthejnë në sms-porosi. Këtë e konfirmojnë redaksitë e Meta.mk dhe Portalb.mk, të cilët nuk kanë arritur të marrin përgjigje pavarësisht dhjetëra thirrjeve telefonike, sms-porosive dhe e-maileve të dërguara.

Prej Ministrisë arrijnë kumtesa me disa rreshta të cilat informojnë vetëm për atë që ministri dëshiron, por nuk japin përgjigje për pyetje gazetareske.

Dhjetëra thirrje dhe porosi kot

Ministri Mexhiti, i cili përndryshe vjen nga partia e Aleancës për Shqiptarët, shumë shpejt është bezdisur nga pyetjet gazetareske. Ai në këtë pozitë erdhi në fund të shkurt të këtij viti dhe për zëdhënës e vendosi Berna Sherifovska – absolvente në Fakultetin e Mjekësisë, paraprakisht në opinion është e njohur si kampione shtetërore në xhudo.

Përpara dy muajve, Sherifovska në profilin e saj në Linkedin ka publikuar fotografi me ministrin Mexhiti, duke theksuar se edhe zyrtarisht është bërë zëdhënëse e Ministrisë. Por, edhe ajo, edhe ministri Mexhiti, rrallë janë të qasshme në opinion, kur bëhet fjalë për temat që i punojnë gazetarët, jashtë agjendës së ministrit.

Kështu, Portalb.mk në fillim të muajit qershor e hapi temën se mbrapa Poliklinikës “Bit Pazar” persona privat e kanë uzurpuar tokën shtetërore, në  oborrin e poliklinikës dhe kanë bërë parking ilegal. Me vite, qytetarët në mënyrë të paligjshme janë të detyruar të paguajnë për parking, derisa institucionet nuk reagojnë. Portalbi tre javë kërkon përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë për atë se çfarë masa do të ndërmarrë për menaxhmentin e poliklinikës i cili nuk e ka paraqitur rastin e uzurpimit të tokës mbrapa objektit.

Për këtë rast, Prokuroria tanimë ka hapur lëndë që të konstatojë përgjegjësi.

Përgjigjet për këtë rast nga Ministria e Shëndetësisë, Portalb.mk i pret që prej 7 qershorit, kur janë dërguar pyetje nëpërmjet postës elektronike. Përgjigjet nuk kanë arritur, për këtë, më 9 dhe 12 qershor, gazetari i Portalb.mk i ka dërguar pyetjet nëpërmjet sms porosisë edhe deri te Sherifovska.

Më 13 qershor, nga Ministria e Shëndetësisë ka ardhur përgjigje e shkurtër, me të cilën u drejtuam që të drejtohemi te komuna e Çairit dhe Qyteti i Shkupit. Të pakënaqur nga përgjigja, pasi që nuk ishin përgjigjur për atë që kishim pyetur, kemi kërkuar përgjigje shtesë me sms porosi të dërguara më 13, 15, 16 dhe 26 qershor dhe 12 thirrje telefonike.

Më 19 qershor, Portalb.mk ka dërguar edhe kërkesë për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik për temën konkrete. Në ndërkohë, më 7, 15, 16 dhe 26 qershor, nëpërmjet telefonit Portalb.mk ka tentuar ta kontaktojë ministrin Mexhiti, ndërkaq i kemi dërguar dhe sms porosi, megjithatë edhe ai nuk na e ngriti telefonik.

Nga  ana tjetër, meta.mk, duke punuar në temën për digjitalizimin dhe sigurinë kibernetike, ka kërkuar intervistë ose përgjigje me shkrim në lidhje me aplikacionin digjital “E-Shëndetësi” dhe ”Shëndeti Im”, të cilat i ka promovuar ministri Mexhiti. Gazetarja e Meta.mk tre herë ka dërguar pyetje dhe kërkesa për intervistë, duke filluar nga 13 qeshori. Të kota kanë qenë edhe disa përpjekje që nëpërmjet telefonit të kontaktohet ministri Mexhiti dhe zëdhënësja e tij. Në fokus të interesit të gazetarëve të Meta.mk janë sulmet hibride dhe kibernetike, këto aplikacione i përmbajnë informatat më sensitive të qytetarëve të cilat kanë të bëjnë me të dhënat për shëndetin e tyre, nëse të njëjtat janë të sigurta dhe në çfarë mënyre janë të mbrojtura. Dy herë kemi pyetur pse të sëmurët nga diabeti me muaj nuk kanë shirita për matjen e sheqerit, që në 15 maj të marrim përgjigje se “procedura për furnizim të shiritave dhe gjilpërave për matjen e glukozës është në fazë finale, pas çka do të vijojë shpërndarja e tyre”,

Shirita për matjen e sheqerit, pacientët ende nuk kanë marrë, pavarësisht se ka kaluar mbi gjysmë viti.

Mullaçka: Përgjigjen vetëm në pyetjet që u përshtaten

“Ministria e Shëndetësisë është një prej sektorëve, i cili duhet të jetë më së shumti transparent, duke e pasur parasysh atë se bëhet fjalë për temat më senzitive dhe të sëmurët, nga të cilat varet jeta e njeriut”, thotë gazetarja e “Fokus”, Irena Mullaçka, e cila me vite merret me tema të sistemit shëndetësor.

Ajo thotë se deri tani, të gjithë ministrat përgjigjen në pyetje gazetareske të cilat atyre u përshtaten, ndërkaq nëse pyetjet nuk janë në favor të tyre, atëherë automatikisht injorohen.

“Ministri aktual vetëm disa muaj është në funksion, por ka mjaft bashkëpunim të dobët me shumicën e gazetarëve, që assesi nuk i shkon në favor, pasi që kryelartësia e madhe do t’í kthehet në kokë. Në fund të ditës, ne si gazetarë bëjmë tema të interesit publik, të cilat i prekin qytetarët dhe ata duhet të përgjigjen në pyetjen tona në çdo kohë”, thotë Mullaçka.

Ministri Mexhiti, prej kur është emëruar ministër, deri më tani ka realizuar vetëm një takim me gazetarët që i trajtojnë temat e shëndetësisë.