Rama: Bordi i Transparencës nuk cakton çmimin e naftës arbitrarisht

Kryeministri Edi Rama thotë se Bordi i Transparencës, i cili u aktivizua këtë javë me qëllim parandalimin e abuzimit me çmimin e naftës nga kompanitë furnizuese në Shqipëri, “nuk vendos çmimin e naftës arbitrarisht, nuk ul çmimin e naftës duke vënë në rrezik vetë kapacitetet e furnizimit, por thjesht dhe vetëm mbikëqyr lëvizjen e çmimit dhe nuk u lejon operatorëve që të luajnë pas kurrizit të konsumatorëve”.
Në podkastin e tij “Flasim”, kreu i qeverisë deklaroi se detyra e kësaj strukture është të bëjë “përcaktimin e çmimeve tavan dhe pamundësimin e abuzimit me situatën në dëm të konsumatorit”.
“Sipas dhënave të bursës së Mesdheut, në ditët e fundit pati një ulje të çmimeve të nënprodukteve kryesore të naftës dhe, në përputhje me këtë zhvillim, Bordi i Transparencës reflektoi menjëherë edhe uljen e çmimit në vend, duke bërë atë që ka detyrë të bëjë: përcaktimin e çmimeve tavan dhe pamundësimin e abuzimit me situatën në dëm të konsumatorit. Ajo që është e rëndësishme të kuptohet është se ky mekanizëm lidh drejtpërdrejt çmimet në Shqipëri me lëvizjet në tregjet ndërkombëtare dhe jo me vendime të njëanshme të operatorëve vendas. Kjo do të thotë që, në varësi nga lëvizja e çmimit në bursë, bordi qëndron vijimësisht në anën e konsumatorëve, e drejtuesve të mjeteve, e qytetarëve dhe ruan kufijtë e qartë mes çmimit të rritur objektivisht si rezultat i lëvizjes në tregun ndërkombëtar, prej ku edhe importohet nafta në Shqipëri, dhe, nga ana tjetër, abuzivitetit që, në këto raste, nëse gjen shesh, bën gjithmonë përshesh. E theksoj edhe njëherë, Bordi nuk vendos çmimin e naftës arbitrarisht, nuk ul çmimin e naftës duke vënë në rrezik vetë kapacitetet e furnizimit, por thjesht dhe vetëm mbikëqyr lëvizjen e çmimit dhe nuk u lejon operatorëve që të luajnë pas kurrizit të konsumatorëve. Roli i tij është të sigurojë transparencë dhe, nga ana tjetër, të jetë gjithmonë në vëmendje për të mos lejuar edhe shkelje të vendimeve të tij, të cilat pastaj shoqërohen me masa të menjëhershme deri në pezullimin e aktivitetit për operatorët që nuk respektojnë rregullat”,- tha Rama.
Rama foli edhe për nismën e re të socialistëve, “Punët për Shqipërinë”, e cila përfshin “një cikël takimesh me komunitetet në të gjitha qarqet për të folur për këtë moment të rëndësishëm të vendit, për punët që kanë nisur në këtë mandat të katërt, për punët që do të nisin së shpejti dhe natyrisht për të dëgjuar njerëzit”.
“Dhe në funksion të organizimit, që si gjithmonë ne e nisim me kohë për atë që do të jetë fitorja e ardhshme shembullore e Partisë Socialiste vitin e ardhshëm në zgjedhjet vendore. Në këto takime do të flasim për punët e Shqipërisë, do të flasim për çka po ndërtojmë, do të flasim për çka shohim si pengesa për t’u kapërcyer. Do të flasim për gjithçka që njerëzit do të duan të ndajnë me ne apo duan të dëgjojnë nga ne. Dhe patjetër do të ndajmë me njerëzit ato që janë sfida tërësisht të përbashkëta, ku natyrisht përgjegjësia kryesore i takon, dhe s’ka sesi të jetë tjetër, qeverisë”,- tha Rama.





