Rama mbledh qeverinë dhe deputetët, zbardhet nisma e re e socialistëve

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë këtë të shtunë, në orën 11:00, një mbledhje të zgjeruar me qeverinë dhe grupin parlamentar socialist.
Takimi do të hapet me fjalën e kryeministrit, ndërsa më pas do të vijojë nga kreu i grupit paralametar të PS Taulant Balla.
Mbledhja, që do të mbahet në Pallati i Kongreseve, pritet të fokusohet te çështje kyçe si Kadastra dhe Reforma Territoriale.
Në këtë takim do të mbajnë fjalën edhe drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, kryetari i Komisionit të Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku, si dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili.
Zyrtarët socialistë do të zbresin në terren duke nisur nga dita e hënë deri më 2 qershor. Deputetë, ministra dhe vetë kryeministri Rama do të zhvillojnë takime në kuadër të një fushate komunikimi nën sloganin “Për Shqipërinë”.
Vizitat në terren do të organizohen sipas tematikave javore, ku java e parë do t’i kushtohet integrimit, ndërsa çdo javë do të ketë një fokus të caktuar.
Kjo është mbledhja e parë e përbashkët e qeverisë dhe grupit parlamentar pas Asamblesë Kombëtare Socialiste të zhvilluar një javë më parë në Durrës, ku kryeministri Rama njoftoi ndryshime në drejtimin politik të gjashtë qarqeve, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të vitit 2027.





