Rasti i parë i helmimit nga gjarpri në Shkup, një 50 vjeçar është hospitalizuar në Klinikën Infektive

Pesëdhjetë vjeçari i cili qëndronte në burgun “Idrizovë” ka raportuar të martën se është helmuar nga gjarpri. Kështu ka bërë të ditur sot Shërbimi i Urgjencës Mjekësore në Shkup, nga ku thonë se ky është rasti i parë i regjistruar i pickimit nga gjarpri, pasi Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) vazhdimisht ka apeluar për […]

Rasti i parë i helmimit nga gjarpri në Shkup, një 50 vjeçar është hospitalizuar në Klinikën Infektive

Pesëdhjetë vjeçari i cili qëndronte në burgun “Idrizovë” ka raportuar të martën se është helmuar nga gjarpri. Kështu ka bërë të ditur sot Shërbimi i Urgjencës Mjekësore në Shkup, nga ku thonë se ky është rasti i parë i regjistruar i pickimit nga gjarpri, pasi Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) vazhdimisht ka apeluar për shfaqjen e gjarpërinjve në zonat e banuara, veçanërisht në lagjet në kryeqytet, transmeton Portalb.mk.

“Pas raportimit se një person është pickuar nga gjarpri, personi me autoambulancë është dërguar për trajtim në Klinikën Infektive në Shkup. Ai do të jetë aty për disa ditë mjekim dhe vëzhgim”, tha Shërbimi i Urgjencës Mjekësore.

Nga aty apelojnë qytetarët që të kenë kujdes se ku lëvizin gjatë qëndrimit në natyrë, si dhe të veshin veshje të përshtatshme për t’u mbrojtur nga pickimi i gjarpërinjve.

Numri i thirrjeve dhe ndërhyrjeve është rritur ditët e fundit, sipas Shërbimit të Urgjencës Mjekësore. Sipas mjekëve ka rritje të aksidenteve në komunikacion, lëndime nga rënia nga skuterët, rritje të shembjeve në vende publike nga vapa e verës.

“Punojmë me kapacitet të reduktuar, ndaj prioritet kanë thirrjet më urgjente”, thotë ambulanca.

Disa ditë më parë, Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) bëri thirrje për kujdes gjatë ecjes në natyrë për shkak të pranisë së gjarpërinjve. Nga atje ata thonë se gjarpërinjtë zakonisht ikin nga njerëzit, por nëse ata shqetësohen ose shkelin aksidentalisht ose futen në kurth atëherë ata mund të sulmojnë dhe pickojnë.

Në një rast të tillë, shton QMK-ja, pas vetëndihmës së parë të treguar, është e dobishme që qytetarët të telefonojnë në numrin e vetëm të telefonit të urgjencës 112, nga ku do të lidhen me shërbimin e urgjencës mjekësore dhe do të marrin këshilla për trajtimin e mëtejshëm.

Është veçanërisht e rëndësishme, thonë nga QMK, që qytetarët të marrin trajtim sa më të shpejtë mjekësor nëse pickohen nga gjarpri helmues.

“Nuk ka institucione të specializuara për largimin e tyre, por ka individë, por edhe shoqata civile për mbrojtjen e kafshëve, të cilat mund t’i ndihmojnë qytetarët që të largojnë në mënyrë të sigurt gjarpërinjtë dhe zvarranikët e tjerë nga ndërtesat dhe sipërfaqet”, tha QMK.

LEXO: QMK: Nuk është punë e zjarrfikësve të heqin gjarpërinjtë, shërbimi paguhet

Në qershor, gjarpërinjtë u panë në disa vendbanime.

QMK, në numrin e vetëm të thirrjes emergjente – 112, ka pranuar raporte për gjarpërinj të regjistruar në Shkup dhe Prilep në periudhën e kaluar.

LEXO: QMK me këshilla për kujdes dhe mbrojtje nga gjarpërinjtë