Ronaldo: Jam futbollisti më i kompletuar në histori, shifrat e dëshmojnë

Cristiano Ronaldo e konsideron veten futbollistin më të mirë dhe më të kompletuar të të gjitha kohërave, duke theksuar se statistikat dhe arritjet e tij në fushën e lojës flasin vetë. Ylli portugez ka reaguar edhe ndaj debatit të vazhdueshëm për objektivin e tij për të shënuar 1.000 gola në karrierë.
Sulmuesi i Al Nassr, i cili së fundmi ka arritur në kuotën e 980 golave, shprehu pakënaqësi për faktin se vëmendja është përqendruar kryesisht te numri i golave që i nevojiten për të arritur këtë rekord, në vend që të vlerësohen paraqitjet e tij aktuale.
“Njerëzit nuk po e vlerësojnë atë që po bëj tani. Ata janë më të shqetësuar se sa gola më duhen për të arritur 1.000. Nuk më pëlqen. Gjërat duhet të ndodhin natyrshëm”, deklaroi Ronaldo, sipas raportimit të Alfredo Pedullà, i cili iu referua CNN Portugal.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë theksoi se nuk e kushtëzon vlerësimin për karrierën e tij me arritjen e shifrës prej 1.000 golash.
“Nëse shënoj 920, 925 apo 930 gola, jam më i miri i të gjitha kohërave, pikë”, u shpreh portugezi, duke shtuar se arritja e kuotës historike do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm, por jo një domosdoshmëri për ta dëshmuar madhështinë e tij.
Ronaldo foli edhe për krahasimet me disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror, përfshirë Lionel Messin, Pelén dhe Diego Maradonën. Ai tha se i respekton preferencat e tifozëve, por kundërshtoi vlerësimet që vënë në dyshim cilësitë e tij si futbollist.
“Nëse dikush preferon Messin, Pelén ose Maradonën, kjo është çështje shijesh personale. E respektoj këtë. Por të thuash se Cristiano Ronaldo nuk është një lojtar i plotë është gënjeshtër. Unë jam lojtari më i plotë”, deklaroi ai.
Portugezi vazhdon të synojë shifrën prej 1.000 golash në karrierë, ndërsa gara e përhershme e krahasimeve me Messin dhe legjendat e tjera mbetet pjesë e debatit për futbollistin më të madh në historinë e këtij sporti.
The post Ronaldo: Jam futbollisti më i kompletuar në histori, shifrat e dëshmojnë appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



