BE “rrëzon” ligjin anti-LGBTQ+ të Hungarisë: Kundër vlerave themelore të njeriut

Ligji anti-LGBTQ+ i Hungarisë që u miratua në vitin 2021 është në shkelje të hapur të vlerave të Bashkimit Evropian. Ky është verdikti i prerë i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, e cila e cilëson ligjin diskriminues dhe stigmatizues për komunitetin LGBTQ+.
Në vendimin e saj, Gjykata argumenton se ky ligj bie ndesh drejtpërdrejt me një shoqëri që bazohet te pluralizmi, barazia dhe liria e shprehjes. Bëhet fjalë për ligjin e ashtuquajtur “për mbrojtjen e fëmijëve”, që në praktikë ndalon përmbajtjet LGBTQ+ në shkolla dhe në televizion gjatë orareve kryesore.
Për BE-në kjo nuk është thjesht politikë e brendshme por një shkelje e hapur e të drejtave themelore.
Ligji kufizon përfaqësimin e personave homoseksualë dhe transgjinorë në materiale edukative, filma, reklama dhe programe televizive para orës 22:00. Një qasje që më herët është krahasuar edhe me modele të ngjashme në Rusi.
Gjykata thotë se Hungaria nuk mund të fshihet pas “identitetit kombëtar” për të justifikuar cenimin e lirive bazë. Madje, vendi është urdhëruar të zbatojë menjëherë vendimin dhe të paguajë edhe kostot e procesit, përfshirë ato të Komisioni Evropian.
Në sfond, politika në Budapest është vënë në lëvizje. Peter Magyar ka marrë një fitore të thellë në zgjedhjet e fundit, duke premtuar luftë kundër korrupsionit dhe rritje të standardit të jetesës. Por për çështjen LGBTQ+, ai ende nuk ka folur prerazi nëse do t’i ‘çmontojë’ këto politika apo jo.
Arkitekti i këtij ligji është pikërisht ish-kryeministri Viktor Orban, i cili qëndroi 16 vite në pushtet.
Reagimet nuk kanë munguar. Eurodeputetja Tineke Strik kërkon që qeveria e re të vendosë në qendër “rivendosjen e plotë të të drejtave” për komunitetin LGBTQ+.
Edhe organizatat e të drejtave të njeriut e quajnë këtë një moment historik. ILGA-Europe thekson se Hungaria nuk mund të hapë një kapitull të ri pa e shfuqizuar këtë ligj.
Burimi i lajmit:opinion.alShënim: Ky material është marrë nga burime publike në internet dhe është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.Portali nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen origjinale të publikuar nga burimi. Nëse keni ankesa apo kërkesa për heqje materiali, ju lutem na kontaktoni në facebook/KosovaToday Faleminderit për mirëkuptimin.



