Salihu: Kosova nuk mund të bëjë Padi për Gjenocid ndaj Serbisë

Profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, për FrontOnline, shprehet skeptik se mund të ndodhë një padi ndaj Serbisë për gjenocid nga ana e Kosovës, duke treguar rrugën që duhet ndjekur për përpilimin e padisë. ”Pak ka gjasa ose fare të ndodhë. Për me ngritë aktakuzë, duhet një ekip i ekspertëve kulminant të Kosovës, […]

Salihu: Kosova nuk mund të bëjë Padi për Gjenocid ndaj Serbisë


Profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, për FrontOnline, shprehet skeptik se mund të ndodhë një padi ndaj Serbisë për gjenocid nga ana e Kosovës, duke treguar rrugën që duhet ndjekur për përpilimin e padisë.

”Pak ka gjasa ose fare të ndodhë. Për me ngritë aktakuzë, duhet një ekip i ekspertëve kulminant të Kosovës, bashkë me hetues në terren, për dy-tri vitet e ardhshme me i mbledhë, me i faktuar, me i sistemu ato të dhëna dhe më pas me ngritë padi’’ thotë ai.

Profesori Salihu, po ashtu deklaron se Kosova nuk mundet me bërë padi për gjenocid ndaj Serbisë, sepse nuk është anëtare e OKB-së dhe se për kët duhet bëjë në vend tjetër për Kosovën.

‘’Padi Kosova nuk mundet me ngritë sepse ende nuk është anëtare e OKB-së, por në emër të Kosovës, mundet me ngritë Shqipëria ose ndonjë vend tjetër, por duhet punohet shumë. Deri tash nuk kam pasur ndonjë sugjerim nga Qeveria. Kam punuar për 6-7 vite në Institutin për Krime të Luftës’’ thekson ai.

Njohësi i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, thotë se çështja e padisë për gjenocid ndaj Serbisë ishte dashur të merrej me urgjencë.

‘’Kjo partia në pushtetet e ka pasur premtim ri-hapjen e institutit për krime të luftës dhe ai institut është hap, ngadalë po shkon puna, kjo punë ka mundur të kryhet për tre muaj e gjysmë, tash e kanë bërë ligjin, e kanë bërë një drejtor, vitet po shkojnë, dhe kjo punë është dashur të merret me urgjencë. Në vend se të suportohet dhe zgjerohet ai institut, ai u mbyllë’’ thotë profesori Salihu.

Salihu, thotë nëse vazhdohet me ketë tempo as edhe për 30 vite nuk mund të bëhet gati padia për gjenocid.

‘’Në drejtësinë tranzitcionale, për krime të luftës, është dashur të punojnë tre vetë, për krimet tjera është dashur të punojnë tre të tjerë, e me 3 vet edhe për 30 vite nuk mundet me u kry ajo punë. Pasi të mblidhen faktet, duhet të ngritët akuza për krime të luftës, veçenarisht për gjenocid’’ tha ai për FrontOnline.